2010-01-29 17:37:19

Nunci i Haitit: bota të mos na harrojë kur të fiken dritat e mediave


(29.01.2010 RV)Bilanci i fundit i viktimave të tërmetit në Haiti flet për 170 mijë të vdekur e për 800 mijë të pastrehë. Kanë kaluar mëse dy javë nga lëkundja e parë, që rrafshoi kryeqytetin Port-o-Prens, e tani, e ardhmja e vendit varet nga planet për rindërtim. Sipas FAO-s (Organizatës Botërore për Ushqimin) është i nevojshëm një investim prej 700 milion dollarësh në sektorin e bujqësisë. Mbi bazën e vlerësimeve të OKB-së, duhet rindërtuar gjithashtu një zonë që kap tre të katërtat e kryeqytetit haitian. Presidenti i vendit, René Preval ka deklaruar se kryeqyteti do të ndërtohet në një zonë tjetër të Haitit, ku nuk bien tërmete. Ndërkaq, të hënën që vjen, do të hapen disa shkolla e nunci apostolik, Bernardito Auza nënvizon shpresën për të ardhmen.
Në intervistën e tij për agjensinë katolike Sir, imzot Auza tregon se si janë gjetur disa seminaristë, që mendohej se ndodheshin nën rrënoja, se si Karitasi po arrin të ndihmojë gati 200 mijë vetë: dritare të vogla, por domethënëse, në një realitet, që ngjan me dëshpërimin pa fund. Nunci bën thirrje për rindërtimin e katedrales, të kishave e të strukturave famillitare, të seminareve e të shkollave katolike, që u shkatërruan gjatë tërmetit. Kërkon që të dërgohen para, pasi në fazën e rindërtimit ushqimi e ndihmat e tjera nuk do të jenë më aq të rëndësishme, e shpreh frikën se sapo të fiken dritat e mediave mbi vend, bota do ta harrojë Haitin. Vetëm një strategji e ngjashme me Planin Marshall, përfundon imzot Bernardito Auza, mund ta nxjerrë vendin nga nënzhvillimi, që ai të mos bëhet edhe më i varfër se më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.