2010-01-28 17:27:12

Konferenca e Londrës për Afganistanin. Karzai: “Do t’i bindim talebanët e moderuar të kthehen në shtëpi".


(28.01.2010 RV)U zhvillua sot në Londër konferenca njëditore kushtuar Afganistanit. Presidenti afgan Hamid Karzai tha se vendi i tij po punon për një plan të pajtimit kombëtar dhe riintegrimin e talebanëve të moderuar në shoqëri. “I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë përpjekjet tona. I kërkojmë fqinjëve tanë, në veçanti Pakistanit ta mbështesë planin tonë kombëtar.” tha gjatë fjalimit të tij presidenti afgan Karzai. Mes tjerash ai theksoi se po i shtrin dorën talebanëve të moderuar “që nuk janë pjesë e Al Kaedës dhe që e pranojnë kushtetutën afgane”. Sipas Karzait vendi i tij do të ketë nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare edhe për nja 10 a 15 vjet të tjera.
Nga ana tjetër kryeministri britanik Gordon Braun vuri në dukje se për të ndihmuar riintegrimin në gjirin e shoqërisë të talebanëve të moderuar, duhet më parë përforcimi i vetë ushtrisë afgane. “Gjëja e parë është forcimi i ushtrisë afgane. Pastaj dobësimi i talebanëve duke i ndarë. Këtu bëhet fjalë për njerëz që mund të ndahen lehtë sepse shumicën e tyre nuk e bashkon një ide e vetme.” shtoi kryeministri britanik. Gjithashtu Braun vuri në dukje se këtë vit do të nisë edhe kalimi i kompetencave nga forcat ndërkombëtare tek forcat afgane të sigurisë.
Në komunikatën përfundimtare të konferencës thuhet se brenda pesë vitesh forcat afgane do të marrin në kontroll ato zona që sot për sot nuk janë edhe aq të sigurta. Pjesëmarrësit shprehën gëzimin e tyre që forcat afgane të sigurisë po marrin përsipër përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha në operacionet ushtarake, shenjë kjo e rritjes së profesionalizmit të ushtrisë afgane.







All the contents on this site are copyrighted ©.