Kardinali Mikel Koliqi në 13-vjetorin e vdekjes, një jetë kushtuar Zotit e popullit
(28.01.2010 RV) Kanë kaluar trembëdhjetë vjet, që kur kardinali Koliqi mbylli
sytë për dritën e kësaj bote. Po e kujtojmë sot me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit,
Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, shqiptuar të shtunën e kaluar
në Grotaferrata, pranë Romës, në paraqitjen e librit “Dy vëllezër martirë”, kushtuar
jetës, veprës e martirizimit të dy vëllezërve: atë Marin e don Aleksandër Sirdani,
shkruar nga rregulltarja baziliane, motra Elena Lulashi. I zgjodhëm pikërisht
këto fjalë, për të nënvizuar se figura si ajo e Kardinalit Koliqi, mbeten përgjithnjë
në kujtesën e njerëzve, si simbol i gjakut të martirëve, derdhur nga diktatura komuniste
në Shqipëri. Ja si e kujtoi Imzot Çeli, vetëm dy ditë më parë, në sa përshkruante
Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991: “Sapo e kishim
filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që
kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i
gjallë e i fuqishëm në shpirt. Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj.
Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur
atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha:
“Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë
të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes
nesh! Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë
fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon!
Sot fillon pranvera!”. E, në sa vijon të ndjehet fort atmosfera e Enciklikës së
Shpresës - ‘Spe salvi’, të Benediktit XVI, zgjodhëm, nga arkivi ynë, pikërisht ftesën
për të shpresuar, që Kardinali Koliqi vijon t’ia bëjë popullit shqiptar 11 vjet pas
vdekjes: Një jetë kushtuar Zotit, në një kohë kur ky përkushtim
paguhej me jetë: Nuk është e thjeshtë të përmbledhësh me pak fjalë jetën e
kardinalit Koliqi, një nga figurat më poliedrike në historinë e Shqipërisë. Mikel
Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,
për t'i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë
mekanike, në Politeknikumin e Milanos. Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen
për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931.
U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj
si famullitar i katedrales së Shkodrës. U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore
e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim
të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës "Kumbona e së Dieles".
Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie. Ati
i Shenjtë Gjon Pali II e emëroi prelat nderi në janar 1992, e takoi personalisht gjatë
vizitës së tij në Shqipëri, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994. Menjëherë
pas fillimit të proceseve demokratike, kardinali Koliqi u nderua së pari me titullin
"Pishtar i demokracisë", më pas me titullin "Nënë Tereza" dhe, vetëm pak ditë para
vdekjes, me titullin më të lartë "Nderi i Kombit". Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997
U përpoqëm të përmbledhim në pak rreshta një jetë, për të cilën mund e duhet të shkruhen
shumë libra; një jetë që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë
të jashtëzakonshme, së cilës deri tani i është kushtuar vetëm libri "Mikel Koliqi",
shkruar nga kushëriri i tij, Gjon Simoni.