2010-01-28 14:01:27

Benedikti XVI Akademive Papnore: të nxitet humanizmi i krishterë, që t’u japë përgjigje të përshtatshme problemeve emergjente


(28.01.2010 RV)Para relativizmit që mbizotëron në kulturën bashkëkohore, është i nevojshëm një formim që të promovojë njeriun në tërësinë e tij: kështu foli Papa Benedikti XVI në audiencën me anëtarët e Akademive Papnore, të cilët janë mbledhur në atë që quhet “Seancë Publike”, për të reflektuar mbi temën “Formimi teologjik i meshtarit”. Në kuadrin e kësaj ngjarjeje, iu dorëzua dr. Xhon R. Mortensen, nga Universiteti amerikan i Çejen-it, çmimi i Akademive Papnore.
Ati i Shenjtë denoncoi metodat sipërfaqësore e nganjëherë banale, që dëmtojnë punën kërkimore-shkencore dhe reflektimin, duke u kërkuar Akademive Papnore të formojnë njerëz me aftësi reale për t’u thelluar në studim e në kërkim:
“Mungesës së pikave ideale e morale të referimit, që penalizon veçanërisht bashkëjetesën civile e sidomos formimin e brezave të rinj, duhet t’i korrespondojë një ofertë ideale e praktike vlerash e të vërtetash, arsyesh të forta për jetë e shpresë, që mund e duhet t’u interesojnë të gjithëve, sidomos të rinjve”.
Ky impenjim duhet të jetë veçanërisht i madh në formimin e meshtarëve, theksoi Benedikti XVI, pasi kultura bashkëkohore e vetë besimtarët kërkojnë gjithnjë mendimin e ndërhyrjen e Kishës në fusha të ndryshme ku dalin problematika të reja. E ky reflektim ka të bëjë drejtpërdrejt me punën e Akademive Papnore:
“Në këto hapësira delikate kërkimi dhe impenjimi, jeni të thirrur të ofroni një kontribut cilësor, kompetent e të apasionuar, në mënyrë që krejt Kisha, e në veçanti Selia e Shenjtë, të ketë në dispozicion raste, gjuhë e mjete të përshtatshme për të dialoguar me kulturat bashkëkohore e për t’iu përgjigjur si duhet pyetjeve dhe sfidave në fusha të ndryshme të dijes e të përvojës njerëzore”.
Duke kujtuar takimin me artistët në Kapelën Sikstina, më 21 nëntorin e kaluar, Papa vuri në dukje dialogun delikat e të rëndësishëm ndërmjet fesë së krishterë dhe krijimtarisë artistike. Edhe këtu, Akademitë Papnore luajnë një rol të madh e mund të frymëzohen nga modeli, gjithnjë aktual, i Shën Tomës së Akuinit, festa liturgjike e të cilit bie sot:
“Me të vërtetë, ai arriti të bënte një konfrontim të frytshëm si me mendimin arab, ashtu edhe me atë hebraik të kohës së vet, e, duke pasur parasysh thesarin e traditës filozofike greke, prodhoi një sintezë të jashtëzakonshme teologjike, duke harmonizuar plotësisht arsyen me fenë”.
“Doctor Angelicus”, siç u quajt shën Toma, la kujtimin e pashlyeshëm të një finese e mprehtësie të jashtëzakonshme, të një gjeniu inteligjent e origjinal, tha Papa, përveç shenjtërisë së ndritshme të jetës së vet. Duhet bërë si Shën Toma, vazhdoi Benedikti XVI, duhet të marrim nga pasuritë e Traditës së krishterë e të jemi gjithnjë në kërkim të së vërtetës:
“Për këtë, është e nevojshme që Akademitë Papnore të jenë sot, më shumë se kurrë, Institucione të gjalla e jetësore, të afta të kuptojnë me mprehtësi si kërkesat e shoqërisë e të kulturave, ashtu edhe nevojat e Kishës, për të ofruar një kontribut të përshtatshëm e të vlefshëm e për të promovuar kështu, me të gjitha energjitë e mjetet në dispozicion, një humanizëm të vërtetë të krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.