Sot me 27 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Angjela Meriçin, virgjër
(27.1.2010 RV)Shën Angjela lindi në Dezencano mbi liqenin e Gardës, në Itali
në vitin 1474. Pati për jetën rregulltare një ide revolucionare për kohën në të cilën
jetoi. Në këtë periudhë pasurie e dëfrimesh civile, begatie ekonomike e shkëlqimi
artistik, që në Itali njihet me emrin rinascimento - rilindje e arteve dhe e kulturës,
zëri kërcënues i fra Gjirolamo Savonarolës, i cili më vonë u vra dhe u dogj mbi turrë
të druve në Piazza della Signoria në Firence më 1498, lëshonte vetëtima e rrufe mbi
njerëzit e pushtuar nga materializmi. Njëzet vjet më vonë, një rregulltar gjerman
agostianian, Martin Luteri, deshi të realizonte në Kishë atë “reformë”, që çoi në
ndarjen e dhimbshme të bashkimit të të krishterëve. Në korin e fuqishëm të zërave
që kërkonin reformimin e dokeve, nisi të dallohej zëri i shtruar i një gruaje të
pashkollë, që ofronte kontributin e saj praktik e të shndritur nga Zoti, për vënien
në jetë të këshillave e mësimeve ungjillore. Angjela Meriçi e kishte kaluar rininë
e saj duke kundërvënë në mënyrë paqësore jetës së shfrenuar shekullare e humbjes së
vlerave të vërteta morale e njerëzore. Për ta realizuar këtë, kishte hyrë në të Tretin
Urdhër Françeskan. E rritur në një familje të ndershme fshatarësh, pasi humbi
prindërit derisa ishte vetëm 15 vjeçe, Angjela pati dëshirë të bënte shtegtime të
gjata. Arriti deri në Tokën Shenjte, të cilën mundi ta admironte vetëm me sytë e fesë,
sepse pikërisht kur shkeli në Palestinë, humbi përkohësisht dritën e syve. Në mes
të errësirës fizike të syve, shpirti i saj pa një dritë verbuese që i rrëfente detyrën
e lartë me të cilën ishte ngarkuar. Ajo pa në vegim një shkallë të gjatë, që
mbështetej në tokë e humbiste në qiell, në të cilën ngjitej një radhë e pafundme vajzash.
E kuptoi se Zoti po e thërriste për të ndihmuar shpirtërisht e materialisht të rejat.
Kujtojmë se aso kohe shkolla ishte privilegj i vajzave të familjeve të pasura, kryesisht
meshkujve, që përgatiteshin për jetë fetare, rregulltare, politike, diplomatike ose
ushtarake. Angjela Meriçi pati një detyrë të rëndësishme e revolucionare për
periudhën e saj e jemi në kohën e Mesharit të Buzukut. Për ta vënë në jetë nismën
e saj, më 1535 themeloi themeloi në Breshia shoqërinë e Shën Orsolës (Ursulës), Kongregatë
rregulltaresh që nuk kishin veshje të veçantë dalluese, po të cilat shumë shpejt u
bënë të njohura në mbarë botën me emrin Orsolinet dhe me misionin për hapjen e konvikteve
e të shkollave femërore, duke u bërë kështu pararendëse të Instituteve shekullare,
rregullorja e të cilave u botua dhe përhap pas 27 janarit të vitit 1540, kur Agjela
mbylli sytë në Bresha, për t’u shpallur shenjte në vitin 1807. Emri Angjela, që
në shqip thjeshtohet shpesh në Angje, vjen nga greqishtja e do të thotë lajmëtare.
Simboli i shenjtës është zambaku.