2010-01-27 16:05:34

Shën Françesku në qendër të audiencës së Papës: gjigant i shenjtërisë e njeri i dialogut, që na mëson dashurinë për Zotin e për Gjithësinë


(27.01.2010 RV)“Gjigant i shenjtërisë”: kjo është njëra nga përkufizimet e shumta, plot admirim, që Papa Benedikti XVI ia kushtoi Shën Françeskut në audiencën e sotme të përgjithshme në Sallën Pali VI në Vatikan. Jeta dhe dëshmia e jashtëzakonshme e Varfanjakut të Asizit mbeten model shenjtërie, gëzimi të krishterë, dialogu ndërfetar, dashurie për Kishën e për Gjithësinë.
“Lindi në botë një diell”: Papa e bëri të vetën mahnitjen e poetit të madh italian, Dante Aligieri, i cili 700 vjet më parë, në një varg të Komedisë Hyjnore, përdori këtë shprehje për të folur mbi lindjen e Shën Françeskut. Një shenjt me rëndësi universale, për të cilin gjatë shekujve, njerëzit kanë përdorur njëmijë fjalë për ta shprehur plotësisht madhështinë e tij, pa ia arritur qëllimit. “Alter Christus”, “vëllai i Jezusit”. Benedikti XVI i kujtoi dhe i përsëriti, shpesh duke alternuar tekstin e shkruar, me fjalë pa letër, plot entuziazëm të sinqertë për Shenjtin e Asizit. Ja si e sintetizoi Papa idealin më intim të shpirtit të shenjtit:
“Në fakt, ky ishte ideali i tij: të ishte si Jezusi; të kundronte Krishtin e Ungjillit, ta donte me të gjitha forcat, t’i imitonte virtytet. Në veçanti, ai deshi t’i japë një vlerë themelore varfërisë së brendshme dhe të jashtme, duke ua mësuar edhe bijve të tij shpirtërorë… Dëshmia e Françeskut, që deshi varfërinë për të ndjekur Krishtin me përkushtim e liri të plotë, vazhdon të jetë edhe për ne një ftesë që të kultivojmë varfërinë e brendshme për ta rritur besimin në Zotin, duke i bashkuar edhe një stil jete të thjeshtë e largimin nga të mirat materiale”.
Duke përshkuar fazat më të rëndësishme të jetës – kthimin, heqjen dorë nga të mirat materiale për të mirën e Zotit, udhëtimin në Romë te Papa Inoçenci III – Ati i Shenjtë u ndal, duke folur pa letër, te “simbolizmi i fuqishëm” që karakterizon ngjarjen e kishës së Shën Damianit, ku për tri herë rresht i Kryqëzuari i kërkoi Françeskut të riparojë Kishën e tij në shkatërrim:
“Gjendja e keqe e kësaj ndërtese është simbol i gjendjes dramatike dhe shqetësuese të vetë Kishës në atë kohë, me një fe sa për sy e faqe, që nuk formon e as e transformon jetën, me një kler aspak të zellshëm… Megjithatë, në këtë Kishë në shkatërrim, i Kryqëzuari është në qendër e flet: bën thirrje për përtëritje, i thotë Françeskut të përveshë mëngët e ta riparojë konkretisht kishën e Shën Damianit, simbol i thirrjes më të thellë për rinovimin e vetë Kishës së Krishtit, me fenë e tij radikale e me entuziazmin e dashurisë për Krishtin”.
Lidhur me këtë, vazhdoi Benedikti XVI, duhet konsideruar edhe nderimi i madh që Shenjti i Asizit pati për meshtarët, edhe për ata “pak të denjë”, për shkak të pushtetit të tyre për ta bërë të pranishëm Krishtin në Eukaristi, si edhe respekti për papët e Romës. Françesku, vërejti Benedikti XVI, nuk rinovoi një Kishë kundër Papës, por të bashkuar me të, e ja sepse:
“Varfanjaku i Asizit e kishte kuptuar se çdo karizëm e dhuruar nga Shpirti i Shenjtë duhet vënë në shërbim të Korpit Mistik, që është Kisha; prandaj veproi gjithnjë në bashkim të plotë me autoritetet kishtare. Në jetën e shenjtorëve nuk ka kontradikta ndërmjet karizmës profetike dhe karizmës së qeverisjes e, nëse krijohet ndonjë tension, ata dinë të presin me durim kohën e Shpirtit të Shenjtë”.
Me miratimin papnor, konsoliduar edhe nga pasardhësit e Papës Inoçenci III, Urdhëri françeskan rritet e degëzohet, duke dëshmuar karizmën e vet përtej fshatrave të Italisë qendrore, ku lindi. Është emblematik misioni që Shën Françesku bën në Egjipt, për t’i predikuar Ungjillin një sulltani mysliman:
“Në një epokë kur po zhvillohej një konflikt ndërmjet krishterimit dhe islamizmit, Françesku, i armatosur vetëm me fenë e vet e me butësinë e tij personale, përshkoi frytshëm rrugët e dialogut… Është një model, nga i cili duhet të frymëzohen edhe sot marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve: të nxitet dialogu duke u mbështetur në të vërtetën, në respektin e ndërsjelltë dhe në mirëkuptimin reciprok”.
Shën Françesku vdiq në Porciunkola, në mbrëmjen e 3 tetorit 1226. Por nuk vdes asnjë çast trashëgimia e tij shpirtërore. Mënyra e tij e të qenit “njeri i gëzuar”, i thjeshtë e i përvujtë, i dashuruar me Krishtin, bëhet një stil që e ndjekin një numër i pafund njerëzish. E nuk vdes as ajo vëllazëri universale që pasqyron shën Françesku në “Këngën e krijesave” e që mbetet mesazh tepër aktual për njerëzimin e sotëm:
“Siç kam kujtuar në Enciklikën e fundit “Caritas in veritate”, i qëndron kohës vetëm ai zhvillim, që respekton krijimin e nuk dëmton ambientin, e në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes së këtij viti, kam nënvizuar se edhe arritja e një paqeje të qëndrueshme është e lidhur me respektin për ambientin”.
Nga Shën Françesku mbetet profili i “gëzimit të përkryer”, që e bëri njeri plot gaz në çdo situatë. Nga kjo, përfundoi Papa, kuptojmë se ky është sekreti për lumturinë e vërtetë: të bëhemi shenjt, pranë Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.