2010-01-27 12:30:54

Papa kujton viktimat hebraike të nazizmit dhe ata që i mbrojtën të persekutuarit me rrezik jete


(27.01.2010 RV)Sot paradite, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Benedikti XVI kujtoi viktimat e Shoahut, me rastin e Ditës së Kujtesës, që kremtohet nga OKB-ja e nga shumë vende të botës. Kanë kaluar 65 vjet nga 27 janari 1945, kur turpat sovjetike hapën portat e kampit të përqëndrimit nazist të Aushvicit, në Poloni, duke liruar ato pak vetë që kishin mbijetuar. Ati i Shenjtë, i cili ka qenë për vizitë në Aushvic në maj të vitit 2006, e kujtoi kështu atë ngjarje tragjike:
“Ajo ngjarje dhe dëshmitë e të mbijetuarve zbuluan para botës tmerrin e krimeve të bëra me mizori të padëgjuar në kampet e shfarosjes së Gjermanisë naziste”.
Prandaj, Dita e Kujtesës kremtohet më 27 janar, për të mos harruar viktimat e atyre krimeve, sidomos shfarosjen e planifikuar të hebrenjve, e për të nderuar ata që me rrezik jete mbrojtën të persekutuarit e kundërshtuan atë marrëzi vëllavrasëse, theksoi Papa:
“Me shpirt të trazuar mendojmë për viktimat e panumërta të urrejtjes së verbër racore dhe fetare, që kanë pësuar internimin, burgosjen, vdekjen në ato vende rravguese e çnjerëzore. Kujtimi i atyre fakteve, në veçanti të dramës së Shoahut që ka goditur popullin hebraik, të zgjojë respektin gjithnjë e më të madh për dinjitetin e çdo personi, që të gjithë njerëzit ta ndjejnë veten në një familje të vetme. Zoti i Gjithpushtetshëm ndriçoftë zemrat e mendjet, që të mos përsëriten më tragjedi të tilla!”
 







All the contents on this site are copyrighted ©.