Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzon marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë
(27.01.2010 RV)Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi me votim unanim 9-0,
marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Vendimi i marrë mbrëmjen e
djeshme rreth orës 20:30, është konfirmuar me nje njoftim zyrtar në ditën e sotme.
Gjykata e deklaroi si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar
ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave
përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë
të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas tekstit, shkeljet janë procedurale dhe thelbësore.
Delegacioni që është ulur në tryezën e bisedimeve me palën greke nuk ka pasur lejen
e presidentit, pra nuk ka qenë i plotfuqishëm për të marrë vendim ne emër të shtetit
shqiptar. Nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë pranuar kësisoj kërkesën prej
13 faqesh që Partia Socialiste depozitoi në datën 20 tetor 2009 pranë këtij institucioni,
me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me ligjin themeltar të shtetit të paktit detar
shqiptaro-grek. Pretendimi i opozitës është se qeveria Berisha i ka dhuruar Greqisë,
nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, një sipërfaqe të madhe ujore në detin
Jon. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i marrëveshjes detare me Greqinë për
përcaktimin e kufijve detare mes dy vendeve i kthen procedurat në pikën e nisjes,
në kushtet sikur marrëveshja të mos kishte ekzistuar. Burime zyrtare nga
Gjykata Kushtetuese thanë sot për ATSH-në, se rinisja e procedurave për këtë çështje
nënkupton ngritjen nga Qeveria të një grupi të ri negociator, përbërja e të cilit
do të ketë dhe miratimin e Presidentit të Republikës.. Në vendimin e marrë
dje Gjykata Kushtetuese argumenton se në projekt-marrëveshje konstatohen shkelje proceduriale
dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare
të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982. Sipas të dhënave, shkeljet
substanciale lidhen me elementët që kanë të bëjnë me Konventën për të Drejtën e Detit
dhe konkretisht me dy parametra të parashikuar në marrëveshje: atë të baraslargësisë
dhe të mesores, ku konstatohet mosrespektimi i kësaj të fundit. Rinisja
e procedurave për këtë marrëveshje me palën greke nga një grup i ri negociator synon
që bisedimet të zhvillohen mbi kriterin e barazisë. Gjykata Kushtetuese rrëzoi
dje, pas një mbledhje disaorëshe, marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë "për përcaktimin
e kufijve detarë mes dy vendeve", pas një ankimimi të disa partive opozitare në muajin
nëntor 2009, të cilat pretendonin se ajo ishte hartuar në mungesë të transparencës
dhe me përllogaritje të gabuara hartografike. Gjatë një seance në dhjetor
2009, Gjykata Kushtetuese pezulloi ratifikimin nga Kuvendi të këtij dokumenti, deri
në përfundimin e procesit gjyqësor. Marrëveshja dypalëshe u nënshkrua në Tiranë më
27 prill 2009 nga ministrat e Jashtëm të të dy shteteve