2010-01-27 17:06:20

Berisha: deklarimi i besimit fetar dhe përkatësisë etnike nuk duhet të përbëjë problem për shqiptarët.


(27.1.2010 RV)Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot, se "deklarimi i besimit fetar dhe përkatësisë etnike nuk duhet të përbëjnë problem për shqiptarët, të cilët janë një komb me identitet kombëtar".
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha veçoi vendimin "Për organizimin, funksionimin dhe përbërjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit", që sipas tij, ka të bëjë me "përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për udhërrëfyesin e vizave".
Duke vlerësuar bazën tërësisht elektronike mbi të cilën bëhet regjistrimi i popullsisë, Kryeministri theksoi se "përdorimi i tij do të jetë i gjithanshëm dhe shumë i rëndësishëm". "Regjistrimi i popullsisë përbën një proces dhe një akt shumë të rëndësishëm madhor në reformat që po ndërmerr vendi", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri u ndal te diskutimet që janë hapur së fundi mbi çështjen e deklarimit të besimit fetar, ku hodhi poshtë të gjitha pretendimet se "kjo mund të përbëjë ndonjë element përçarës fetar".
Sipas tij "shqiptarët janë një komb unik për të cilët identiteti është shumë i lashtë". "Fetë dhe besimet janë hyjnore, frymëzuese e të pazëvendësueshme, por identiteti kombëtar ka qenë veçmas", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri solli në vëmendje harmoninë dhe mirëkuptimin e plotë fetar që ka ekzistuar në shekuj dhe vazhdon të ekzistojë në Shqipëri, ndërsa ritheksoi se "mbi të gjitha shqiptarët vendosin identitetin e tyre kombëtar".
"Nuk mund të ketë asnjë lloj problemi që ai që ndjehet ateist të deklarohet si i tillë. Ne jemi një shoqëri e lirë dhe këtu ka edhe ateistë. Nëse kthehemi mbrapsht në vitet '90 kishte ndonjë intelektual që mendonte se duhet të niste një proces masiv konvertimi, ndërsa doktrina jonë ishte ndërtimi i kishave, xhamive dhe teqeve", tha Kryeministri Berisha.
Duke u shprehur për respektimin e plotë të besimit, Kryeministri theksoi se "në të gjitha regjimet që ka provuar, nga themelimi i shtetit deri më sot, Shqiptarët kanë qenë sekularistë dhe kjo është një trashëgimi themelore pozitive".
Edhe në këtë rast, Kryeministri shprehu bindjen se "deklarimi i feve nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi sekularizmin e Shqipërisë dhe shqiptarëve".
Për sa i përket çështjes së deklarimit të përkatësisë etnike, Kryeministri theksoi se "kjo ka qenë një normë konstante në traditën më të mirë të regjistrimeve në këtë vend". "Mbreti i parë i shqiptarëve në kohërat moderne, Ahmet Zogu, ka pranuar që çdo shtetas i këtij vendi të shprehë origjinën e tij etnike duke zbatuar standardet më të mira të kohës", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë kompleks dhe asnjë lëndim nga deklarimi i etnisë, pasi ne nuk kemi vuajtur asnjëherë për identitet kombëtar".
"Kjo ka bërë që të vijmë në kohërat moderne, pas pushtimeve ndonjëherë ndër më barbaret dhe më të egrat, apo më të zgjaturat dhe prapë të zgjohemi shqiptarë. Është jashtë çdo lloj koncepti që një qytetar i këtij vendi të lëndohet sepse fqinji deklaron origjinën etnike greke, arumune, rome, sllave etj", tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha kërkoi që shumica e shoqërisë të mos bëjë deklarata lënduese për minoritet dhe grupet etnike, pasi "nuk janë të favorshme".
"Ligjvënësi përcakton rregullat se si do të jetë deklarimi. Ne kemi martesa ndëretnike dhe ky është tregues shumë i rëndësishëm, ndaj nuk duhet të përflasim këtë trashëgimi dhe traditë të shkëlqyer", tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "deklarimi i përkatësisë etnike nuk do të shënohet në pasaporta, pasi ky është një standard tjetër, ku kundërshtitë globale janë më të mëdha, pasi konsiderohet si diskriminim". nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.