2010-01-26 17:00:03

Pakistan: indinjatë e të krishterëve për vrasjen e një vajze katolike 12 vjeçe.


(26.01.2010 RV)Keqardhje, indinjatë dhe protestë e të krishterëve në Pakistan për vrasjen e një vajze katolike. Shazia Bashir, 12 vjeçe, u torturua, u përdhunua dhe u vra nga punëdhënësi i saj, një avokat i pasur mysliman në Lahore. Siç bën të ditur agjencia Fides, - njoftuar nga Kisha katolike në Pakistan, - vajza, me prejardhje nga një familje e varfër katolike punonte që prej tetë muajsh si shërbyese në shtëpinë e avokatit të Lahores Çadri Muhamed Nem. Vajza është rrahur, përdhunuar dhe më pas është vrarë më 22 janarin e kaluar. Në salikimet e saj që u zhvilluan sot morën pjesë me mijëra vetë. Të pranishëm edhe ipeshkvijtë e krishterë të të gjitha Kishave të cilët bënë thirrje për solidaritet dhe i ftuan besimtarët për t’u lutur. Të krishterëve iu bashkuan edhe shumë myslimanë.
Bëhet fjalë këtu vetëm për një nga episodet e shumta të dhunës që kanë si protagonistë të krishterët, veçanërisht ata që janë të varfër e të punësuar në shtëpitë e myslimanëve të kamur. Shazia punonte për 1000 rupie në muaj (rreth 12 dollarë amerikanë) për të ndihmuar familjen e saj. Prindërit e vajzës treguan se kishte disa ditë që nuk iu lejohej të shihnin vajzën e tyre. Mbasi e kishin përsëritur kërkesën disa herë me radhë, më në fund ua kishin dhënë vajzën por në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të dukshme dhune dhe torturash. Menjëherë e kishin çuar në spital por vajza kishte vdekur. Avokati ndërkaq është përpjekur që të korruptojë familjarët duke iu ofruar 250 dollarë për të mos ta denoncuar, por prindërit nuk kanë pranuar dhe e kanë denoncuar në polici. Nga burimet lokale mësohet gjithashtu se fillimisht as policia nuk ka dashur ta regjistrojë ngjarjen në fjalë por protestat e të krishterëve e kanë çuar peshë opinionin publik. Më 23 janar një turmë e madhe është mbledhur përpara pallatit të madh të Parlamentit krahinor të Panxhabit duke kërkuar drejtësi për vajzën e vogël. Vetëm atëherë policia, pasi kishin kaluar 18 orë nga vdekja e vajzës ka pranuar ta regjistrojë denoncimin. Dje u arrestuan gjashtë persona pas ndërhyrjes së qeverisë federale. Ndërsa presidenti i Pakistanit Ali Zardari i dha menjëherë 6 mijë dollarë dëmshpërblim familjes së viktimës. Ministri i Punëve të Pakicave Shahbaz Bati siguroi opinion publik se “fajtorët do t’i dorëzohen drejtësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.