Me 26 janar kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Timoteun e Titin, dishepuj të shën
Palit e ipeshkvij
Sot me 26 janar kalendari Kishtar përkujton shenjtorët Timoteun e Titin, dishepujt
të shën Palit e ipeshkvij Shenjtorët Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë
të Shën Palit, u caktuan prej tij porsi barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti,
i Kretës. Pra, shenjtorët Timoteu e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë
së Apostullit të Popujve. Ishte Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit,
që i ushqeu me dashuri kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për
njerëzimin. Pali u takua për herë të parë me Timoteun, ende djalosh i ri,
në Listri: ai ishte bir i një babai pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe,
dishepulle e Shenjtit e bashkëpunëtore e tij. I edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt,
duke dëgjuar fjalët e Apostullit e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme,
u kthye në fe dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë
jeta e Timoteut do të lidhej ngushtë me atë të Apostullit, për të cilin do të bëhej
bir, bashkëpunëtor, shok udhe, mik, trashëgimtar. Titi lindi
prej prindërve grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në
Konçilin e Jerusalemit. Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací.
Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan prej
tij si barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti, i Kretës. Pas martirizimit
të Shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas
traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë baritore. Njoftimin e fundit për të na e jep
Shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi më asnjë
njoftim tjetër. Kujtojmë se këtyre dy dishepujve, Shën Pali u drejtoi tri letra apostolike
me përmbajtje baritore. Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi,
të pasura me hollësi nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas
dy bij në Krishtin, për të vijuar misionin e ungjillëzimit. Përmes dy Shenjtorëve
Pali mundi të mishëronte atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Krishtin
e çliron njeriun nga ligji, ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit.
Ajo që ka vërtetë rëndësi, është ndërgjegjja e pastër dhe besimi i patundur në Zotin,
i mishëruar në jetën e përditshme përmes veprave të mira.