2010-01-26 16:59:32

Irak: Ekzekutohet Ali Kimiku. “Hakmarrje e drejtë”.


“Sot u krye një hakmarrje e drejtë kundër Ali Kimikut.” Kështu e komentoi zëdhënësi i qeverisë irakiane Ali Al-Dabag zbatimin e dënimit me vdekje të përfaqësuesit më të urryer të qeverisë të Sadam Hyseinit, për të cilin përdori fjalën “hakmarrje” dhe jo “drejtësi”. Ali Hasan Al-Maxhi, i njohur ndryshe edhe me emrin Ali Kimiku, akuzohej për bombardimin me lëndë kimike të qytetit kurd të Halabxhasë në vitin 1988. “Martirët në varret e përbashkëta tani do të pushojnë të qetë.” shtoi zëdhënësi Al Dabag.
Ali Kimiku – një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sadam Hyseinit – u ekzekutua sot me varje në litar pasi ishte dënuar katër herë me vdekje nga gjykata e Bagdadit për masakra të ndryshme kundër pakicave kombëtare në Irak gjatë regjimit të Sadam Hyseinit. Por gjendja në Irak vazhdon të jetë e tensionuar. Sot në tre atentate me autobomba në tre hotele të frekuentuar nga të huajt u vranë 36 vetë dhe u plagosën 70 të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.