2010-01-26 16:09:18

Haiti: Kardinali Pol Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum flet mbi veprimtarinë e Kishës pas tërmetit.


(26.01.2010 RV)Vazhdon pandërprerje mobilizimi i Kishës në ndihmë të popullsisë haitiane. Deri tani janë hapur 12 pika për shpërndarjen e ndihmave të dërguara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare katolike. Nunciatura katolike është kthyer në një pikë referimi për çdo lloj ndihme. Gjithmonë dera është e hapur për çfarëdo që ka nevojë populli: për një shishe ujë, për një radiotransmetuese për veshje apo për barna mjekësore. Asistenca në vend bashkërendohet nga Katholik Relif Servisis, agjencia ndërkombëtare për zhvillimin dhe ndihmën e ipeshkvijve amerikanë, në marrëveshje me Këshillin Papnor Cor Unum. “Bëhet fjalë për një impenjim që do të vazhdojë edhe atëherë kur gjithçka të ketë përfunduar. Kisha do t’u qëndrojë pranë njerëzve edhe atëherë kur vuajtjet e tyre nuk do të përbëjnë më lajm për gazetat e asnjeri nuk do të vrapojë më në ndihmë të tyre.” - shprehet kardinali kryetar i këtij dikasteri Pol Jozef Kordes në mikrofonin tonë. Ta ndjekim:

Pyetje: Kanë kaluar disa ditë tashmë nga tërmeti që shkatërroi Haitin. Cilat janë emergjencat që duhen përballuar ende?

Përgjigje: Situata mbetet tragjike. Numri i të vdekurve është në rritje. Edhe ndër meshtarë. Po ashtu tridhjetë seminaristë mungojnë. Me mijëra vetë janë varrosur në varre të përbashkëta dhe akoma sot nga rrënojat nxirren njerëz që kanë mbijetuar. Personalisht më ka bërë shumë përshtypje rasti i një vajze që poshtë rrënojave ishte lutur për orë të tëra që Zoti të mos ia merrte jetën për hir të prindërve të saj. Ishte vajzë e vetme. Përsa i përket emergjencave mund të themi se pas problemeve fillestare në koordinimin e shpërndarjes së ndihmave, duket se furnizimet themelore me ujë, ushqim dhe barna po nisin t’u mbërrijnë atyre që kanë nevojë. Por ka ende shumë jetë për t’u shpëtuar, sëmundje për t’u parandaluar dhe mbi të gjitha shpresa që duhen rikthyer.
Pyetje: Cila ka qenë përgjigja e agjencive bamirësie të Kishës në këtë fatkeqësi të madhe për popullin e Haitit?

Përgjigje: Pas thirrjes së Benediktit XVI për mobilizim përgjigja ka qenë e menjëhershme dhe po vazhdon. Kisha të largëta e të afërta si nga Rusia, Korea, nga Tajvani dhe organizata kishtare si Karitasi, Urdhëri i Maltës, Konferenca e Shën Vinçenc Paolit, Kros Internashional Katholik Autriç, Gjezhuit Relif Servisis, kanë dërguar njerëz dhe po japin ndihmë konkrete. Këshilli Papnor Cor Unum është në kontakt të përditshëm me Katholik Relif Servisis, të cilit i kemi kërkuar të bashkërendojë veprimtarinë e Kishës në vend. Kjo agjenci vepronte në Haiti edhe më përpara tërmetit dhe ka 300 vetë personel. Po ashtu vazhdojnë edhe mbledhjet me ipeshkvijtë Haitianë, me nuncin apostolik, kryeipeshkvin Bernardito Auza dhe me agjenci të ndryshme bamirëse katolike të huaja që gjenden tashmë në Port o Prens për të vëzhguar nga afër gjendjen dhe për të vepruar me një synim të caktuar. Tash për tash ka 12 pika për shpërndarjen e ndihmave. Personeli dhe ndihma vijojnë në hyjnë në vend kryesisht nga Republika Dominikane.

Pyetje: Cilat janë nevojat më urgjente?

Përgjigje: Nunci që shpeshherë del në rrugë për t’i qëndruar pranë popullsisë dhe për t’i thënë një fjalë shprese edhe në emër të Papës Benedikti XVI, na informon vazhdimisht. “Ka nevojë për gjithçka.” Kështu thotë në fillim të çdo komunikimi. Duke filluar nga gjërat kryesore: si ujë, radio për të komunikuar, një ambulancë etj. Na kërkon që ndihmat që kanë mbërritur falë Këshillit Papnor Cor Unum të përdoren për të blerë barna, ujë dhe ushqime. Po ashtu na bën të ditur se populli ka nevojë që t’i kthehet edhe shpresa për të jetuar. Për këtë duhet të lutemi.

Pyetje: Sikur është edhe tradita baritore, Cor Unum po mendon qysh tani për kohën kur vështirësitë e parë të kapërcehen, apo jo?

Përgjigje: Kisha do t’i qëndrojë pranë popullit haitian, edhe pas kësaj situate, atëherë kur tërmeti të mos përbëjë më lajm për mjetet e informimit dhe kur asnjeri të mos vrapojë më në ndihmë të haitianëve. Na ngushëllon fakti se disa qeveri dhe disa institucione po i planifikojnë ndihmat e tyre me perspektivë të ardhmen. Para pak ditësh në Santo Domingo u zhvillua një konferencë ndërkombëtare për bamirësit që themeluan organizatën “Të bashkuar për një të ardhme më të mirë të Haitit”. Nga ana tjetër, personalisht, e kam këshilluar kryetarin e Inter-Amerikan Development Bank të përkujdeset për popullin haitian edhe pas kapërcimit të krizës. Po ashtu duhet të them se kudo kam vënë re një sensibilitet të fortë ndaj vuajtjeve të popullit haitian. Dhe kjo është shenjë se Zoti iu përgjigjet thirrjeve të më të varfërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.