2010-01-25 18:28:39

Ipeshkvijtë e Anglisë e Uellsit te Papa: katolikët të impenjuar në dëshmimin e fesë në shoqëri


(25.1.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan, grupin e parë të ipeshkvijve katolikë të Anglisë e Uellsit, me rastin e vizitës që bëhet çdo pesë vjet pranë Selisë Apostolike të Shën Pjetrit në Vatikan, e që njihet me emrin vizita “Ad Limina Apostolorum”. E sivjet kjo vizitë merr një domethënie të veçantë, në kuadrin e udhëtimit apostolike që Benedikti XVI do të bëjë në Britani të Madhe në shtatorin e ardhshëm. Kujtojmë se Kisha lokale ka 5 kryedioqeza e 17 dioqeza. Besimtarët katolikët janë pak më shumë se 5 milion, baras me 8,9% të popullsisë. Sot grupit të ipeshkvijve në audiencë te Papa, i prini kryeipeshkvi i Westminsterit, imzot Vincent Gerard Nichols, president i konferencës ipeshkvnore të Anglisë e Uellsit. Ta dëgjojmë imzot Nichols në mikrofonin tonë mbi sfidat aktuale që ka Kisha katolike në Angli.
“Një anketë e bërë kohëve të fundit na paraqet një bashkësi më të përzier, më komplekse dhe regjistron një rritje numerike për çka nuk ishim plotësisht të vetëdijshëm. Një tjetër gjë që në këtë periudhë bie në sy është fakti se jeta fetare është më shumë e dendur nëpër qytetet më të mëdha (..) se në zonat fshatare të Vendit, ku numrat janë në ulje e meshtarët janë duke u plakur, prandaj kemi edhe vështirësi të ndryshme. Një tjetër element, që mendoj se anketa ka treguar, është fakti se po të bënim një krahasim me popullsinë tjetër të Vendit, katolikët janë më shumë të impenjuar në çështjet e drejtësisë e të drejtësisë shoqërore. E ky element për ne është inkurajues, sepse është shprehje konkrete e mësimeve shoqërore të Kishës dhe dëshmon që përtej vështirësive tashmë të njohura, kemi edhe shumë histori tjera të suksesshme për t’i treguar e ofruar si shembull të mirë”.

Britania e Madhe sot ndoshta është një ndër shoqëritë më të shekullarizuara në Evropë. Ju kohëve të fundit keni pohuar se ajo “ia ka shitur shpirtin e vet diturisë shkencore e materializmit në dëm të fesë”, e megjithëkëtë ekziston një etje e madhe shpirtërore….
“Shoqëria britanike është mjaft komplekse. Disa institucione kyçe siç janë shpesh universitetet, apo herëve tjera aparaturat apo sistemet e qeverive më veprimtarinë e tyre legjislative, përqendrohen pothuaj vetëm e vetëm mbi të dhënat e prodhimit e të përfitimit, e unë mendoj se kjo nuk e pasqyron ndjenjën e përbashkët të qytetarëve. Mendoj se në këtë Vend gjithnjë më tepër është duke dalur në pah një pasiguri mbi natyrën e vet shoqërisë që duam ta kemi, një shoqëri në të cilën duhen të jenë vlerat e vërteta për t’u respektuar, ndjekur e mbi të cilat duhet ndërtuar e mbështetur identitetin e qartë e të thellë. Në këtë pasiguri e paqartësi, feja në Zotin na ndihmon të jetojmë e të jemi të fortë, sepse na ofron një dritare drejt trashendencës e bindjes së plotë se nuk dimë e as nuk kontrollojmë gjithçka në jetë. Mbi këto e tema tjera siç është mbrojtja e jetës deri në vdekjen natyrore, bioetika, eutanazia e tjera, ne si Kishë mundohemi të ofrojmë ndihmesën dhe të luajmë deri në fund rolin tonë në debatin publik. Pra duhet të veprojmë në nivele të ndryshme në shoqëri duke ofruar dritën e fesë që përkon me dritën e arsyes”. Pra katolikët janë të impenjuar në dëshminë e fesë e të vlerave të patjetërsueshme në kompleksitetin e shoqërisë britanike.







All the contents on this site are copyrighted ©.