2010-01-23 15:48:43

Sot me 24 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Françeskun e Sales


Shën Françesku, Ipeshkëv e Dijetar i Kishës, lindi në Thorens të Savojës më 21 gusht të vitit 1567. Si u doktorua në Padovë, u shugurua meshtar e më pas u emërua ipeshkëv i Gjenevës. Është një ndër mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore.
Shkroi shumë vepra asketike e qe ndër të parët që jetën shpirtërore e shenjtërinë i paraqiti të mundshme në të gjitha gjendjet e jetës: në familje, në shoqëri, në zyrë, në punë, në ushtrí, në katedra universitetesh e edhe në parmendë e në kosë.
Theksoi se vetëm dashuria e Zotit bën Shenjtorë. Në bashkëpunim me Gjovanë Françeskën Fremiň de Shantal themeloi murgeshat klaustrale të Vizitacionit. U shqua për dituri të thellë e butësi të jashtëzakonshme, aq sa u quajt Shenjti i butësisë.
Me urtinë e tij baritore dhe ëmbëlsinë proverbiale, tërhoqi shumë kalvinistë në radhët e Kishës katolike. Vdiq në Lion me 28 dhjetor 1622.







All the contents on this site are copyrighted ©.