Papa: Kisha me anë të web-it u drejtohet edhe atyre që nuk besojnë
Hapet një epokë e re ungjillëzimi, ajo përmes web faqes. Në mesazhin me rastin e Ditë
së 44-të Botërore të Mediave, Papa Benedikti XVI e fton mbarë Kishën ta shikon Internetin
me entuziazëm e guxim, duke i këshilluar meshtarët të bëhen lundrues të rrjetit, të
marrin pjesë në socialnetwork e ta përhapin Fjalën e Zotit në të gjitha skajet e botës
e deri në kontinentin e madh të botës digjitale. Me praninë e saj të larmishme
në Internet, Kisha duhet të “promovojë kulturën e respektit për dinjitetin dhe vlerën
e qenies njerëzore”. Këtë kërkon Benedikti XVI në mesazhin e tij për Ditën Botërore
të Komunikimeve Shoqërore që këtë vit ka si temë: “Meshtari e veprimtaria baritore
në botën digjitale: mediat e reja në shërbim të Fjalës”. Interneti, shpjegon në tekst,
“është një ndër udhët nëpër të cilat Kisha është e thirrur ta ushtrojë ‘diakoninë
e kulturës’ (shërbimin e kulturës) në kontinentin e sotëm digjital”. “Juve, të
dashur meshtarë, shkruan Papa Racinger, ju përsërisë thirrjen ti pranoni me urti mundësitë
e veçanta që ofron komunikimi modern. Zotit ju bëftë lajmëtarë të pasionuar të lajmit
të mirë edhe në ‘agora-të’ që kanë krijuar mjetet aktuale të komunikimit”. E priftërinjve,
Papa u kujton se lypet aftësia e depërtimit dhe të qenurit të pranishëm në botën digjitale
me besnikëri të vazhdueshme ndaj mesazhit ungjillor, për të ushtruar kështu rolin
e prisit të bashkësive që tashmë shprehen, gjithnjë e më tepër, edhe përmes ‘zërave’
të larmishëm e të shumtë që ka nxjerr në dritë bota digjitale, dhe të kumtohet Ungjillit,
krahas mjeteve tradicionale, edhe përmes përdorimit të ndihmës së brezit të ri të
internetit e mjeteve audiovizive (foto, video, blog, faqe webi e tjera) që përfaqësojnë
mundësi të jashtëzakonshme dialogu dhe katekizmi ungjillor. “Përmes Internetit,
prifti - shpjegon Papa Racinger - mund ta bëjë të njohur jetën e Kishës e t’i ndihmojë
njerëzit e sotëm të zbulojnë fytyrën e Krishtit”. Interneti përfaqëson, pra, një
“rast të madh” për Kishën e misionin e saj ungjillëzues.