2010-01-22 16:12:24

Papa kryeson mbledhjen e Këshillit të Kardinajve të Kuries Romake


(22.1.2010 RV)Këtyre ditëve me 20 e 21 janar, në Vatikan është mbajtur mbledhja e Këshillit të Kardinajve për Studimin e Problemeve Organizative dhe Ekonomike të Selisë së Shenjtë, kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, hirësia e tij kardinali Tarçizio Bertone. Në rendin e ditës ishte diskutimi i bilancit preventiv të konsoliduar nga Selia e Shenjtë dhe bilancit preventiv të Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit për vitin 2010.
Në këtë takim morën pjesë kardinajtë kryetar të dikastereve të Vatikanit e kardinaj të Vende të ndryshme të botës si: Joachim Meisner, kryeipeshkëv i Këlnit (Gjermani); Antonio Marěa Rouco Varela, kryeipeshkëv i Madridit (Spanjë); Dionigi Tettamanzi, kryeipeshkëv i Milanos (Itali); Wilfrid Fox Napier, kryeipeshkëv i Durbanit (Afrika Jugut) e të tjerë ..
Pas fjalës hyrëse që mbajti kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili paraqiti domethënien dhe qëllimin e kësaj mbledhjeje, kryeipeshkvi De Paolis ilustroi për të pranishmit bilancin preventiv të konsoliduar të Selisë së Shenjtë për vitin 2010. Zona e konsolidimit ka të bëjë me Organizmat që janë pjesë e Kuries Romake, me përjashtim të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, e cila ka një administratë të vetën, si dhe Institucionet e “mediave” që lidhen me Selinë e Shenjtë, që do të thotë Radio Vatikanin, Tipografinë e Vatikanit, Shtëpinë botuese Osservatore Romano, Qendrën e Televizionit të Vatikanit e Librarinë e Vatikanit.
Rezultati i kësaj pune pasqyron shpresën e amendamenteve të mundshme ekonomike e financiare të cilat, me të gjitha vështirësitë e përgjithshme që vazhdojnë ende, sidoqoftë tregojnë një përmirësim të lehtë.
Ndër shpenzimet, zëri më i madh është ai që ka të bëjë me pagesën e personelit të punësuar pranë Selisë së Shenjtë, që ka 2.668 njësi. Përveç shpenzimeve për personelin, shpenzimet tjera që kanë të bëjnë me Radio Vatikanin dhe institucionet tjera të mediave, të cilat duhen konsideruar në kuadrin e aktivitetit misionar të Selisë së Shenjtë.
Edhe përkundër situatës aktuale ekonomike botërore, është nënvizuar nevoja baritore për nxitjen e një vëmendje më të madhe të besimtarëve, një përkujdesje e bujari më të madhe të tyre për të kontribuar në projektet e veçanta që kanë më afër e më përzemër, duke ndihmuar strukturat e Kishës që ofrojnë shërbimin e tyre të çmueshëm në rendin e përgjithshëm kishtar.
Kujtojmë se sot paradite gjatë punimeve të Këshillit të Kardinajve, Papa i vizitoi pjesëmarrësit dhe dëgjoi me interes të posaçëm vërejtjet e tyre dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin e çmueshëm që i ofrojnë Selisë Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.