2010-01-22 16:47:24

Haiti: pas kërkimeve njerëzve, vijon organizimi i ndihmave.


(22.1.2010 RV)Në Haiti pas kërkimeve të njerëzve të gjallë e të vdekur nën gërmadha, bashkësia ndërkombëtare përqendrohet tek ndihma e të pastrehëve. Kujtojmë edhe 61 viktima të personelit të OKB-së
Pas kërkimeve që zgjatën dhjetë ditë për të gjetur persona të mbijetuar në gërmadha të shkaktuara nga tërmeti, ekipet e ndihmës të OBK-së në Haiti janë të përqendruara mbi asistencën e tre milionë personave që kanë mbetur pa strehë mbi kokë. Kështu njoftoi një zëdhënës i OKB-së. Sipas të dhënave, plani për sistemimin e të pastrehëve pas tërmetit, në fazën e parë parashikon krijimin e kampeve të pajisura me çadra, derisa në fazën e dytë ndërtimin e vendbanimeve edhe me ndihmën e të pastrehëve. Ndërkohë vazhdon solidariteti i bashkësisë ndërkombëtare me popullsinë e Haitit e me mbledhjen e ndihmave.
Numri i punonjësve të Kombeve të Bashkuara, që e humbën jetën nga tërmeti në Haiti ka shkuar në 61, që paraqet numrin më të madh të njerëzve që organizata botërore i ka humbur në një katastrofë. Nga tërmeti i 12 janarit e humbën jetën 25 civilë, 24 ushtarë dhe 12 policë të OKB së pohon zëdhënësi Farhan Hak. Në tërmetin me fuqi 7 shkallë Rihter, i cili e shkatërroi kryeqytetin e këtij vendi të varfër të Karaibeve, e kanë humbur jetën ndërmjet 100 mijë e deri në 200 mijë njerëz, ndërsa 1.5 milionë kanë mbetur pa kulm mbi kokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.