2010-01-21 18:06:03

Çelësi i fjalëve të Kishës: "bashkimi" apo "uniteti" i krishterë


(21.01.2010 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues, jemi në mesin e javës për bashkimin e të krishterëve. Por ç’do të thotë “bashkim”, apo “unitet” për ne. Është pikërisht kjo fjala që do të shqyrtojmë sot, duke u nisur nga Shkrimi Shenjt.

Pluraliteti është shpesh pasuri, siç dëshmon tryeza apo harta e madhe e kombeve, që përshkruhet në kapitullin 10 të Librit të Zanafillës, ose siç shihet në nivelin shpirtëror me karizmat e ndryshme, pra me dhuratat e Shpirtit Shenjt për personat. Por, nganjëherë, pluralizmi është ndarje e përçarje, pëfaqësuar simbolikisht në Bibël nga “kulla e Babelit” (Zan 11). Jo më kot, Rrëshajët e krishtera, që përshkruhen në kapitullin 2 të Veprave të Apostujve, përbëjnë rikompozimin, në bashkimin e fesë, të njerëzimit të ndarë. Tema e unitetit pra, është shumë e rëndësishme, duke filluar që nga vetë Zoti, i cili nuk është një shumicë e llojllojshme zotash, por një Hyj i vetëm “i pasur me hir e besnikëri”, i karakterizuar nga një dashuri e vetme që lind Birin në Shpirt, duke ruajtur gjithnjë unitetin e plotë: “Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm”, “Unë dhe Ati jemi një” (Lp 6,4; Gjn 10,30).
Atëherë, bashkimi duhet të jetë edhe shenja dalluese e bashkësisë së besimtarëve. Ky është një argument, që apasionon sidomos shën Gjonin dhe shën Palin Apostull. Nuk kemi të bëjmë me një bashkim të vagëllt, për arsye strategjike, por me një bashkim të vërtetë e të plotë, që është dhuratë hyjnore dhe i ka rrënjët në Krishtin e në Zotin: “Unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju… Banoni në mua sikurse edhe unë në ju… Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt” (Gjn 14,20; 15,4-5). E lutja solemne që Jezusi i drejton Atit në mbrëmjen e fundit të jetës së tij tokësore thekson dëshirën e Krishtit, që të gjithë ata që besojnë në Të “të jenë një, sikurse ne”, pra ashtu si Ati me Birin (17,11).
Ndërsa shën Pali niset nga gjendja shkandulluese e disa Kishave, ai ajo e Korintit, ndarë në grupe kundërshtare, për t’ju lutur Zotit për dhuratën e bashkimit: “Ju përbej o vëllezër, jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë në ndjenja e në mendime…Vallë, a qenka Krishti i ndarë?” (1Kor 1, 10.13). Burimi i bashkimit kishtar duhet kërkuar tek eukaristia, që është korpi i vetëm i Krishtit, nën shenjën e së njëjtës bukë. “Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse jemi shumë, jemi një trup i vetëm: pse të gjithë jemi pjestarët e një buke” (10,17).
Por Apostulli i Popujve e zgjeron edhe më tej këtë konceptim të jetës së Kishës. Ajo është korpi i Krishtit, pra prania e tij shëlbuese dhe aktive në histori. Në vetvete, Kisha karakterizohet nga një përmasë e dyfishtë e ndërlidhur: është një bashkim veprues, por edhe shumëllojshmëri (“shumë janë gjymtyrët, por vetëm një trupi” 12,20). Ja pra, nga vjen nevoja për të krijuar një bashkim, që të mos ketë cilësitë e monolitit, apo të një guri pa shpirt, por të jetë krijesë e gjallë. Prandaj shën Pali ngre në qiell dashurinë, e cila është burim bashkimi në pluralizëm. Ajo pengon që Kisha të shkrihet në anarkinë e individualiteteve dhe të egoizmave, por edhe që të bllokohet në një bashkim mbytës e jo jetësor.
Më pas, Shën Pali do t’i shumëfishojë thirrjet për ta rizbuluar këtë dhuratë që e bën Kishën “një”, pavarësisht nga shumëllojshmëria e karizmave dhe e popujve. Të mahnitshme janë disa fraza të Letrës drejtuar Efesianëve, të cilat ju ftojmë t’i lexoni me vëmendje. Në veçanti i referohemi Ef 2,14-22 dhe 4,1-6. Sidomos teksti i dytë na kujton se “s’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm, një shpresë të vetme, një fe të vetme, një Pagëzim të vetëm”, po ashtu “nuk ka por një Zot, një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve”. Tradita e krishterë e ka paraqitur simbolikisht këtë bashkim kishtar me “petkun e poshtëm të paqepur me pola, por të punuar një cope, prej në maje e në fund”, i cili i përkiste Jezusit e nuk u nda nga ushtarët në këmbët e kryqit (Gjn 19,23-24).








All the contents on this site are copyrighted ©.