2010-01-21 17:22:20

Hamasi është i gatshëm ta njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.


(21.01.2010 RV)“Hamasi është i gatshëm ta njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si edhe ta fshijë nga statuti i vet nenin ku thotë se kërkon shkatërrimin e shtetit sionist”. Kështu u shpreh Aziz Duaik, kryetar i Këshillit legjislativ palestinez dhe një nga kryetarët e Hamasit në Cisjordani. Lajmi u botua sot në sitin internet të gazetës Jeruzalem Post.
Sipas kësaj gazete kjo bën pjesë në strategjinë e Hamasit për t’u njohur nga bashkësia ndërkombëtare. “Statuti është miratuar para 20 vjetësh” tha Duaik i cili shtoi se lëvizja e Hamasit është e gatshme ta shfuqizojë. Duaik vuri në dukje se edhe kryetarë të tjerë të Hamasit si Kaled Mashaal, i zyrës politike dhe Ismail Hanijeh, kryeministër i Hamasit në Gazë kanë deklaruar se janë të gatshëm të njohin një shtet palestinez në kufijtë e para vitit 1967. Por nga ana tjetër negociatori i Autoritetit Kombëtar Palestinez Saeb Erekat i kritikoi deklaratat e kryeministrit izraelit Netanijahu sipas të cilit Izraeli i rezervon vetes të drejtën të patrullojë kufirin ndërmjet Cisjordanisë dhe Jordanisë edhe pas krijimit të një shteti të ardhshëm palestinez.







All the contents on this site are copyrighted ©.