2010-01-21 17:19:04

Haiti: numri i viktimave ka të ngjarë të mos merret vesh kurrë. Një plan Marshall për rindërtimin e vendit.


(21.01.2010 RV)Tani afro 150 aeroplanë me ushqime, ujë, dhe barna ulen çdo ditë në aeroportin e Port o Prens. Kështu thuhet në një komunikatë të OKB ku saktësohet se megjithëse ka përmirësime, gjendja mbetet dramatike për shkak të bllokimit të trafikut ajror në aeroport. “Është e vështirë të gjesh një pistë të lirë për aeroplanë të mëdhenj.” thanë disa funksionarë të Zyrës e Bashkëpunimit të Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara.
“Numri i saktë i viktimave të tërmetit që shkatërroi Haitin më 12 janar ka mundësi të mos merret vesh kurrë”. Kështu pohuan disa zyrtarë të OKB-së cituar nga gazeta amerikane Uashington Post. Sipas funksionarëve haitianë numri i të vdekurve shkon nga 100 deri në 150 mijë. Deri tani 70 mijë trupa të pajetë janë nxjerrë nga gërmadhat por shifrat janë të përafërta. Po ashtu nuk dihet as numri i personave të mbetur gjallë nën gërmadhat e ndërtesave. Në një situatë kur institucionet qeveritare dhe spitalet janë plot e përplot, është shumë e vështirë të hetohet mbi numrin e saktë të të vdekurve. Vetë OKB-ja vazhdon ta përditësojë numrin e funksionarëve të vet që kanë vdekur. Të dielën u fol për 650 vetë të humbur, ndërsa sot bëhet fjalë për 296. Siç shpjegoi zëdhënësi i OKB-së Nik Bërnbak pjesa më e madhe e të humburve ishte personal vendas i OKB-së por që nuk kishin mundur të viheshin më në kontakt me organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Sipas të dhënave të fundit të plagosurit janë përafërsisht 200 mijë ndërsa të pastrehët rreth një milion. Po ashtu gjysma e ndërtesa të kryeqytetit Port o Prens është rrënuar.
“Për të financuar rifillimin e jetës dhe rindërtimin e Haitit ka nevojë për një plan Marshall.” Ky është propozimi i kryetarit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominik Shtraus-Kan bërë në programin televiziv “Amanpur” të CNN. “Mendimi im është se Haiti ka nevojë për diçka të madhe, jo diçka në shkallë të vogël por shumë më të gjerë. Për të drejtuar rindërtimin e vendit ka nevojë për një plan Marshall.







All the contents on this site are copyrighted ©.