2010-01-20 16:21:57

Papa në audiencën e përgjithshme: përparime të mëdha në fushën e ekumenizmit. Thirrje për t’u lutur për bashkimin e të krishterëve.


(20.01.2010 RV)Një thirrje për të gjithë të krishterët, që të vazhdojnë të ecin në rrugën e unitetit për të dëshmuar sëbashku besnikërinë ndaj Krishtit, u bë sot nga Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila filloi të hënën. Ati i Shenjtë kujtoi përparimet e mëdha në fushën e ekumenizmit, pavarësisht nga problemet.
Ekzaktësisht një shekull më parë, një grup misionarësh protestantë u mblodhën në Edimburg të Skocisë për të diskutuar “mbi vështirësitë objektive për të shpallur me besueshmëri lajmin e mirë ungjillor nga ana e të krishterëve, akoma të ndarë ndërmjet tyre”. Ishte janari 1910 e pyetja kryesore që i bënë vetes, shpjegoi sot Benedikti XVI, ishte kjo:
“Nëse para një bote që nuk e njeh Zotin, që është larguar prej Tij e që tregohet indiferente ndaj Ungjillit, ata paraqiten jo të bashkuar, madje shpesh si kundërshtarë, a do të jetë e besueshme shpallja e Krishtit, i vetmi Shëlbues i botës e paqja jonë? Marrëdhëniet ndërmjet bashkimit e misionit, nga ai çast, kanë përfaqësuar një përmasë thelbësore për krejt veprimtarinë ekumenike”.
Edhe për Kishën Katolike, vazhdoi Papa, ajo pyetje u bë një pikë e rëndësishme, në të cilën mbështetet zhvillimi i ekumenizmit:
“Lëvizja ekumenike moderne është zhvilluar kaq shumë sa të bëhet, në shekullin e fundit, një element i rëndësishëm i jetës së Kishës, duke kujtuar problemin e bashkimit ndërmjet të krishterëve e duke mbështetur edhe rritjen e unitetit ndërmjet tyre. Ajo, jo vetëm që favorizon marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Kishave dhe bashkësive të krishtera… por i jep hov edhe kërkimit teologjik”.
Që këtej vjen rëndësia në rritje e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, pasi ky unitet është dhuratë e Zotit e jo vetëm rezultat i përpjekjeve të njeriut. Papa nuk mungoi të përmendë edhe divergjencat e vështirësitë, të cilat mund të kapërcehen duke ndjerë personalisht përgjegjësinë për të qenë dëshmitarë të përbashkët të Krishtit:
“Është e qartë se të njohësh Krishtin, si proces intelektual e sidomos ekzistencial, është një rrugë që na bën dëshmitarë. Me fjalë të tjera, mund të jemi dëshmitarë vetëm nëse Krishtin e njohim personalisht e jo vetëm nga të tjerët, nëse e njohim nga vetë jeta jonë, nga takimi ynë vetjak me të. Duke e takuar me të vërtetë në jetën tonë fetare, bëhemi dëshmitarë e mund të kontribuojmë kështu në risimin e botës, në jetën e amshuar”.
Benedikti XVI u ndal më pas në çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me dialogun ekumenik, si puna baritore, jeta sakramentore, martesat e përziera. “Pozitive” i quajti Ati i Shenjtë bisedimet me ortodoksët, që po studiojnë pikërisht në këtë periudhë rolin e ipeshkvit të Romës në Kishën e pandarë të mijëvjeçarit të parë:
“Nisma të tilla të rëndësishme dëshmojnë se po zhvillohet një dialog i thellë dhe i pasur shprese me të gjitha Kishat e Lindjes, që nuk janë në bashkim të plotë me Romën, duke respektuar veçoritë e tyre”.
Në mënyrë të ngjashme, Benedikti XVI iu referua dialogut me botën protestante – anglikanë, luteranë, metodistë – e duke përsëritur se ekzistojnë çështje të hapura, që akoma pengojnë rrugën drejt bashkimit të plotë, përfundoi në mes të realizmit e shpresës:
“Duhet të mbajmë parasysh edhe përparimet e vërteta, që janë arritur në bashkëpunimin e 50 vjetëve të fundit. Njëkohësisht, duhet të pranojmë se puna në fushën ekumenike nuk është një proces linear. Me të vërtetë, probleme të vjetra, lindur në epoka të tjera, humbasin rëndësinë e tyre, ndërsa në kontekstin bashkëkohor, lindin probleme dhe vështirësi të reja. Prandaj, duhet të jemi gjithnjë gati për një proces spastrimi, në të cilin Zoti të na japë aftësinë për të qenë të bashkuar”.
Duke iu referuar Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa u bëri thirrje të rinjve të jenë kudo operatorë të paqes e të pajtimit, të sëmurëve, t’i ofrojnë vuajtjet e tyre për bashkimin e plotë të të krishterëve, të sapomartuarve, ta jetojnë thirrjen e tyre të veçantë me të njëjtën zemër e me të njëjtin shpirt.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.