Me 20 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Fabianin papë e martir dhe Shën Sebastianin,
martir
(20. 01. 2010 RV)Fabiani, Papë i Romës për katërmbëdhjetë vjet (nga
10 janari i vitit 236 deri më 20 janar 250), luajti një rol të dorës së parë në organizimin
e Kishës. E ndau Romën në shtatë diakoni, për t’i ndihmuar më mirë të varfërit. Sistemoi
varrezat e krishtera e mbarti eshtrat e Papës Ponciani, vdekur në internim, në minierat
e Sardenjës. Me të figura e ipeshkvit të Romës fitoi një autoritet aq të
madh, sa ta shqetësonte seriozisht edhe perandorin Deçio, i cili mori pushtetin më
249, pasi mbyti kundërshtarin e tij, Filipin Arab. Deçio, për të forcuar nga brenda
perandorinë, e cila nga jashtë kërcënohej në të katër anët prej barbarëve, mori vendim
që të gjithë nënshtetasit të shpallnin solemnisht besnikërinë ndaj paganizmit, duke
kryer një akt publik kulti me flijimin e një bagëtie. Si ta bënin këtë, do të merrnin
një certifikatë, që vërtetonte se ishin paganë të vërtetë e, prej këndej, besnikë
të perandorisë romake. Përballë një kërkese të tillë, të krishterët, për
të cilët flijimi para idhujve do të thoshte mohim i Krishtit, mbajtën tre qëndrime
të ndryshme, qëndrime që mbajnë njerëzit në të gjitha kohët përballë përdhunës: grupi
i parë, për shkak të frikës a të interesit, mohoi. Grupi i dytë u mundua të gjente
një rrugë të ndërmjetme: të siguronte me çdo kusht certifikatën, pa flijuar para idhujve.
Edhe ky, mohim i Krishtit, ndonëse i maskuar. Grupi i të krishterëve të
bindur, që e dinin se në fe shtigjet e tërthorta quhen tradhti, refuzoi publikisht
të flijonte para idhujve. I pari që nuk pranoi, ishte Papa Fabiani. Nuk e mbytën në
cirk, as nuk e martirizuan. E flakën në një nga qelitë e tmerrshme të burgjeve romake
dhe e lanë aty, derisa u shua nga etja e nga uria. Të krishterët e varrosën në varrezën
e Shën Kalistit, gjatë Rrugës Appia, duke e nderuar si martir; e epitafi i vënë mbi
varrin e tij, ka arritur deri në ditët tona. Shën Sebastiani. Të
dhënat historike mbi Shën Sebastianin janë vërtetë shumë të pakta, mirëpo përhapja
e nderimit të tij, pra e kultit ka qëndruar ndër shekuj deri në ditët tona. Lindi
në Milano në vitin 237 e vdiq si martir i Krishtit në Romë në vitin 304. Shën Sebastiani
qe varrosur në katakombet e Romës, që më vonë morën edhe emrin e tij. Martirizimi
i tij ndodhi gjatë sundimit të perandorit romak, Dioklecianit. Sipas jetëshkrimit,
Sebastiani qe një kalorës trim milanez, i shpërngulur në Romë i cili, duke shfrytëzuar
miqësinë me Perandorin romak, u dh një ndihmë të çmuar të krishterëve të burgosur
e sidomos atyre që ishin të dënuar me vdekje. Zhvilloi edhe veprimtari misionare,
duke kthyer në fenë e Krishtit si të burgosurit, ashtu edhe ushtarët që i ruanin. Pra
në Romë, ai i ngushëlloi të krishterët e persekutuar, duke punuar si oficer në Rojën
Pretoriane. Si u zbulua se ishte i krishterë, u dënua me vdekje nga perandori Dioklecian,
të cilit i shërbente. Martirizimi i tij është përshkruar me devocion e fantazi
nga një murg i shekullit V me emrin Arnobi i Ri. Murgu tregon se në Romë zelli i Sebastianit
në shërbim të të krishterëve arriti deri atje, sa të kthente në krishterim edhe vetë
guvernatorin e Romës, Kromacin së bashku me të birin, Tiburcin, të cilët më pas do
ta dëshmonin fenë e re me gjak, njëkohësisht me atë (Sebastianin) që i kishte bërë
Bij të Krishtit. Një zell i tillë nuk mund të mos binte në sy në oborrin perandorak.
Vetë Diokleciani perandor e thirri centurionin dhe i tha, me ton familjar: “Unë t’i
kam hapur dyert e pallatit e me to, edhe rrugën e karrierës së shkëlqyer, ndërsa ti
vë në rrezik jetën time...Më thuaj, vërtetë je i krishterë?”. Kujtojmë se asokohe
të krishterët mbuloheshin me shpifje deri në atë masë, sa të paraqiteshin si persona
të rrezikshëm, madje si kriminelë të tmerrshëm. Prej këndej edhe shqetësimi i perandorit
romak, që kishte si roje kryesore pikërisht centurionin e pashëm e trim. Posa
e pa se Sebastiani e dëshmoi pa asnjë ngurrim fenë e tij në Krishtin Zot, perandori
romak Diokleciani kaloi menjëherë nga toni ledhatues, në atë kërcënues e në dënimin
shembullor. Atëherë Sebastianin e lidhën për një trung në fushë të hapur dhe e mbytën
duke e gjuajtur me shigjeta. Kështu edhe paraqitet në ikonat e shumta që i janë kushtuar
këtij shenjti të jashtëzakonshëm. Po kujtojmë se Shën Sebastiani martir
i krishterë, është një nga personazhet kryesore edhe të romanit të shkruar nga kardinali
Weiseman (Vajsman) “Fabiolës” kushtuar pikërisht martirizimit të bashkësive të para
të krishtera.