2010-01-19 15:32:38

Kardinali Kasper: ekumenizmi nuk është akademi, por dëshmon forcën e të krishterëve në botë


(19.01.2010 RV)Ajo që filloi dje, me reflektimet e ritet e rëndësishme për dialogun ekumenik, është për të gjithë të krishterët Java e privilegjuar e lutjes për bashkimin e të gjithë besimtarëve në Krishtin. Tema e këtij takimi vjetor, mbërritur këtë vit në edicionin e 82-të, fyrmëzohet nga një frazë e Ungjillit sipas Lukës “Ju jeni dëshmitarë të kësaj” (24,48). Intervistuam kryetarin e Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve, kardinalin Valter Kasper:
Kjo temë është marrë nga Ungjilli sipas Lukës dhe zgjodhëm pikërisht këtë frazë të Ungjillit, sepse këtë vit kremtojmë njëqind vjetorin e Konferencës misionare të Edimburgut, në të cilën të gjithë misionarët ranë dakord se pengesa më e madhe për përhapjen e Ungjillit në botë është ndarja e të krishterëve. Prandaj, ekumenizmi dhe misioni janë gati binjakë, janë të lidhur: si mund të predikojmë pajtimin, bashkimin e dashurinë nëse jemi të ndarë? Ky është qëllimi i ekumenizmit: të japim sëbashku dëshmi për Ungjillin e për vlerat e Ungjillit. Koha jonë ka jashtëzakonisht nevojë për këto vlera. Ekumenizmi nuk është thjesht diçka akademike, por ka rëndësi dhe lë gjurmë në botën e sotme.
A ka shenja konkrete shprese për të ardhmen?
Dua të ndalem së pari në dy shenja. E para ka të bëjë me dialogun me Kishat ortodokse, që janë shumë afër nesh: kemi bërë përparime të shumta e të mëdha në dhjetë vjetët e fundit. Shenja e dytë konkrete e shpresës është ekzistenca e grupeve katolike dhe protestante që takohen rregullisht, luten sëbashku, luten për njëri-tjetrin, duke shkëmbyer përvojën shpirtërore. Këto grupe përfaqësojnë vërtet ekumenizmin në bazë: marrin atë që është arritur në dialogun tonë teologjik dhe e zbatojnë në gjendjen e tyre konkrete. Kjo mund të sjellë fryte të rëndësishme në të ardhmen.







All the contents on this site are copyrighted ©.