2010-01-19 15:10:52

Hidhen me parashutë ndihmat për popullsinë e Haitit. 3 mijë familje ndihmohen nga Karitasi.


(19.01.2010 RV)Në Haiti, të paktën 70 mijë vetë janë varrosur në varret e përbashkëta, mëse 250 mijë janë të plagosurit dhe qindra mijëra të pastrehët. Në këtë skenar dramatik vazhdon gërmimi për të gjetur ndokënd akoma gjallë. Deri tani, të paktën 90 persona janë nxjerrë gjallë nga rrënojat. Vazhdon edhe shpërndarja e ndihmave. Ushtarët amerikanë kanë filluar të hedhin me parashutë pakot me ushqime e gjëra të tjera të nevojshme. Në mesin e vështirësive të mëdha, edhe Karitasi ka shpërndarë ndihma për 3 mijë familje. Objektivi është të ndihmohen 100 mijë vetë brenda 2-4 javëve. E çmuar edhe ndërhyrja e organizatave humanitare, siç nënvizon në mikrofonin tonë Fiameta Kapelimi, vullnetare e AVSI-t (Shoqata e Vullnetarëve për Shërbimin Ndërkombëtar), me telefon nga Port-au Prince:
Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të krijojmë zona të mbrojtura për popullsinë më të dobët: për fëmijët që kanë humbur prindërit, për gratë shtatzëna dhe për nënat me fëmijë të vegjël deri tre muajsh. Sipas vlerësimit tonë, popullsia në nevojë ekstreme arrin në dhjetra mijëra vetë.
Si është gjendja e ujit të pijshëm?
Popullsia po përdor ujin që absolutisht nuk është i pijshëm: njerëzit e marrin nga kanalet. Ka vështirësi në gjetjen e ushqimit. Supermarketet janë shembur dhe njerëzit përpiqen të marrin ushqime nga rrënojat.
Me çfarë shpejtësie shpërndahen ndihmat?
Shumë ngadalë. Mekanizmi i koordinimit është i ndërlikuar e edhe magazinimi. Kemi humbur shumë gjëra si ne, ashtu edhe Kombet e Bashkuara.
Flitet për 100 fëmijë të vdekur në një shkollë në Leogan…
Nuk është rasti i vetëm: është një shkollë profesionale në Port-au-Prince, në lagjen e Karrfurit, e cila është shembur e ku numërohen 400 të rinj të vdekur. Po presim bilancin përfundimtar, i cili fatkeqësisht, është tepër i rëndë.
Ju deshët të qëndroni në Haiti. Pamë në televizion imazhet e kthimit në Itali të djalit tuaj të vogël…
Kemi ardhur në këtë vend për të ndihmuar popullsinë. Nuk mund të tërhiqemi në këtë moment, me nevojën që kanë për ne. Ka nevojë për gjithçka, ka nevojë për shumë gjëra. Ftoj të gjithë ata që munden, të na mbështesin, sepse kjo është vërtet katastrofë.
Vazhdon pra, pa pushim, puna e organizatave humanitare në Haiti. Ndër to edhe “Mjekët pa kufi”. Mbi gjendjen në Port-au-Prince nga pikpamja shëndetësore të dëgjojmë drejtorin e përgjithshëm të organizatës për Italinë, Kostas Moskokoritis:
Emergjenca kryesore është operimi i të plagosurve. Si “Mjekë pa kufi” kemi vënë në dispozicion katër salla operacioni, por kjo absolutisht nuk mjafton. Kemi dërguar psikologët, pasi duhet të fillojmë trajtimin e traumës psikologjike, por duhet të normalizojmë edhe trajtimin e pacientëve me Sidë.
Para pak ditësh, kreu i misionit tuaj në Haiti bëri një thirrje alarmuese për mungesën e ujit, të ushqimeve e të ilaçeve. Si është gjendja tani?
Përmirësohet shumë ngadalë, pasi makina e ndihmave është akoma e ngadaltë. Aeroporti i Port-au-Prince funksionon pak e uji i pijshëm mungon.
Ç’bëhet në zonat afër kryeqytetit haitian? Edhe ato janë shkatërruar nga tërmeti…
Kemi filluar misione zbulimi për të parë gjendjen nga jashtë. Kemi qenë në Le Gonaje, ku 80% e qytetit është shkatërruar krejtësisht. Po bëjmë misione zbulimi në Gran Guaje, Pëti Guaje, Sen-Mark e Zhakmel, pasi kishim lajme të këqia për këto zona. Shumë njerëz ikin nga Port-au-Prince drejt qyteteve që janë dëmtuar më pak nga tërmeti, si Sen-Mark, ku kemi marrë në ngarkim një strukturë shëndetësore. Por, një ide të qartë mbi ç’po ndodh jashtë kryeqytetit do ta kemi vetëm pas pak ditëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.