2010-01-18 15:57:02

Vizita e Papës në Sinagogën e Romës: vlerat e mëdha të dy feve


(18.1.2010 RV)Vizita e djeshme e Papës Benediktit XVI në Sinagogë të Romës, pa dyshim është ngjarje historike.
Pra, gati 24 vjet pas vizitës së Gjon Palit II në Tempullin hebraik, dje për të dytën herë një Papë vizitoi Sinagogën e Romës. Pikërisht dje, në Ditën e dialogut ndërmjet katolikëve e hebrenjve, që në Itali i mbush 20 vjet, Papa Racinger pohoi edhe një herë se udha e miqësisë ndërmjet dy bashkësive fetare është e pakthyeshme: “Hebrenjtë e të Krishterët - tha Benedikti XVI - në saje të rrënjëve të tyre të përbashkëta, me të gjitha dallimet që kanë mes tyre, janë të thirrur ta dëshmojnë së bashku një Zot të vetëm e Dekalogun (Dhjetë Urdhërimet), kodin e madh etik për mbarë njerëzimin”.
Në fjalimin e tij Papa kujtoi se janë të shumtë katolikët që reaguan me guxim duke i hapur krahët e dhënë ndihmën e tyre për hebrenjtë e përndjekur nga nazifashizmi dhe kujtoi se Selia e Shenjtë pati ndërmarrë nisma të ndryshme në fshehtësi e pa zhurmë për të ndihmuar hebrenjtë e përndjekur.
Edhe Kryerabini i Bashkësisë Hebraike të Romës, Rikardo Di Senji, nënvizoi se, përkundra problemeve që ende janë të hapura e moskuptimeve ekzistuese, janë synimet e përbashkëta që duhet vënë në plan të parë. “Kemi një ëndërr - tha Kryerabini Di Senji - atë që të bëjmë që kjo ngjarje, përtej vëmendjes së mediave e ceremonisë rituale, të mund të ketë një ndikim tek personat në mënyrë individuale. Prej ditës së sotme kemi përgjegjësinë t’i mishërojmë synimet tona e ëndrrat tona t’i bëjmë realitet, ta shembim murin e dyshimit e të frikës, ta hapim zemrën tonë etjes për ta njohur tjetrin, të afërmin”.
Ndërsa kryetari i bashkësisë hebraike të Romës, Rikardo Paçifiçi, foli për një ngjarje që do të ketë ndikim të thellë në marrëdhëniet ndërmjet botës hebraike e asaj të krishterë.
Takimi ndërmjet hebrenjve e të krishterëve përbënë një ndër çështjet më komplekse të shekullit XX që ka qenë, siç e kujtoi Papa Benedikti XVI gjatë vizitës së tij në Sinagogën e Romës, “një epokë tragjike”, po Ati i Shenjtë u ndal tek rikuperimi i kuptimit transhendental në një shoqëri që po shkon drejt “harresës së Zotit”. Papa i ftoi hebrenjtë të bashkohen me Kishën katolike në betejën për mbrojtjen e mesazhit etik të përbashkët që buron nga Dekalogu që Hyji i dha Moisiut e të cilin dy bashkësitë e njohin si themel të marrëdhënies ndërmjet Hyjit e njeriut dhe të marrëdhënies ndërmjet njeriut e njeriut. Në fjalimin e tij Papa nënvizoi pika themelore janë: zgjimin i kuptimit transhendental në botën aktuale; mbrojtja e jetës kundër çdo keqpërdorimi e nëpërkëmbjeje; promovimin i shenjtërimit të familjes.
Në atmosferën e respektit të madh e të dialogut ndërmjet dy bashkësive fetare, sipas Papës, marrëdhënien janë pjekur dhe ka ardhur koha e angazhimit të përbashkët “për të vlerësuare atë çka na bashkon: fenë në një Zot të vetëm, para së gjithash, por edhe mbrojtjen e jetës e të familjes, aspiratën për drejtësinë shoqërore dhe paqen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.