2010-01-18 15:57:39

Qarku i Shkodrës: vazhdon shpërndarja e ndihmave e në Velipojë rifillon mësimi


(18.1.2010 RV)Sot në komunën e Velipojës, në qarkun e Shkodrës, një zonë e prekur nga përmbytjet për më shumë se 10 ditë në veriperëndim të vendit, ka rifilluar procesi mësimor.
Sipas prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, njëherazi kryetar i shtabit të emergjencës, kjo u arrit falë bashkëpunimit me forcat e ushtrisë: "komuna e Velipojës, vazhdon të jetë e bllokuar, për shkak të problemeve në segmentin rrugor Bendi-Mali i Jushit-Ura e Dedë Gjon Lulit ku edhe sot është punuar intensivisht”. Prefekti Cungu shtoi se “për të filluar procesin arsimor, arsimtarët me banim në Shkodër, janë transportuar për në shkollën e Velipojës me anë të varkave të ushtrisë".
Po kështu është njoftuar se në këtë zonë vazhdon shpërndarja e ndihmave për familjarët e dëmtuar nga situata e përmbytjes, si edhe për gjënë e gjallë, burim jetese për banorët e zonës.
Moti në rajonin e Shkodrës është i thatë çka favorizon stabilizimin e situatës në zonat e përmbytura, ku niveli i ujit po tërhiqet nga dita në ditë duke liruar sipërfaqe të konsiderueshme të tokave të përmbytura.
Përmirësimi i dukshëm i motit i ka dhënë mundësi strukturave të shtabit të emergjencës civile pranë prefekturës së Shkodrës të vijojnë me intensitet të plotë zbatimin e planeve operacionale për në drejtim të shpërndarjes së ndihmave.
Punonjës të Bordit të Kullimit në Shkodër, kanë nisur sot punën për normalizimin e situatës së përmbytjeve në fshatin Çash të komunës Velipojë një zonë e prekur nga përmbytjet që përfshinë për më shumë se 10 ditë veriperëndimin e vendit.
Sipas prefektit të Shkodrës Maxhid Cungu, Bordi i Kullimit, ka filluar mëngjesin e sotëm gërmimet në kolektorin e malit të Jushit ku do të ngrihet një platformë për vendosjen e pompave të cilat do të thithin dhe nxjerrin ujin nga territori i fshatit Çash.
"Efektiva të specializuar po punojnë edhe në aksin rrugor Bendi-Mali i Jushit-Ura e Dedë Gjon Lulit, në mënyrë që të bëhet e mundur komunikimi i komunës së Velipojës me aksin rrugor nacional" sqaron Cungu.







All the contents on this site are copyrighted ©.