2010-01-18 13:54:06

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot: thirrje për mbrojtjen e të miturve emigrantë, lutja për bashkimin e të krishterëve dhe vizita në Sinagogë


(18.01.2010 RV)Lutja e djeshme e Engjëllit të Tënzot qe për Papën Benedikti XVI rasti për të folur mbi dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, mbi të drejtat e të miturve emigrantë në Ditën e 96-të Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, si edhe mbi gjendjen në Haiti. Së fundi, lutja për bashkimin e të krishterëve, në prag të fillimit të javës kushtuar kësaj çështjeje.

“Një etapë e mëtejshme në rrugën e mirëkuptimit dhe të miqësisë ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve”. Vetëm katër orë para vizitës historike në Sinagogën hebraike, Benedikti XVI përkufizoi me këto fjalë takimin e tij me bashkësinë izraelite të Romës, 24 vjet pas përqafimit të Papës Gjon Pali II me kryerabinin e atëhershëm Elio Toaf:
“Pavarësisht nga problemet e vështirësitë, ndër besimtarët e të dyja feve ekziston një klimë respekti e dialogu të madh, që dëshmon sa janë pjekur marrëdhëniet dhe impenjimi i përbashkët për të vlerësuar atë që na bashkon: feja në një Zot të vetëm, para së gjithash, por edhe mbrojtja e jetës dhe e familjes, aspiratat për drejtësi shoqërore e për paqe”.
Agimi i historisë së krishterë u karakterizua menjëherë nga drama e një refugjati të porsalindur: Jezusi. Me këtë shembull, Papa filloi reflektimin e tij para Lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar punën e Kishës përkrah refugjatëve dhe emigrantëve, në Ditën e tyre Botërore. Krishti Foshnjë, i përndjekur nga Herodi dhe i detyruar të ikë, na mëson – pohoi Ati i Shenjtë – t’i presim fëmijët me respekt e dashuri të madhe:
“Edhe fëmija, në fakt, cilado që të jetë kombësia dhe ngjyra e lëkurës, duhet konsideruar para së gjithash e gjithnjë si person, shembëlltyrë e Zotit, për t’u ndihmuar e mbrojtur kundër çdo lloj mënjanimi e shfrytëzimi. Në veçanti, duhet të kujdesemi me çdo kusht, që të miturit, të cilët ndodhen në një vend të huaj të garantohen në planin legjislativ e sidomos të shoqërohen në zgjidhjen e problemeve të shumta, që duhet të përballojnë”.
Pikërisht sot fillon java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Duke pasur parasysh këtë, Ati i Shenjtë uroi që ky të jetë rast për të gjallëruar frymën ekumenike, për t’u takuar, për t’u njohur, për t’u lutur e për të reflektuar sëbashku:
“Shpallja e Ungjillit të Krishtit nga ana jonë do të jetë më e besueshme dhe e frytshme, nëse do të jemi të bashkuar në dashurinë e Tij, si vëllezër të vërtetë. Prandaj, i ftoj famullitë, bashkësitë fetare, shoqatat dhe lëvizjet kishtare të luten pa pushim, në veçanti gjatë kremtimeve eukaristike, për bashkimin e plotë të të krishterëve”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI foli për pasojat e tërmetit në Haiti, sqaroi se është gjithnjë i informuar për gjendjen përmes Nuncit Apostolik, e shtoi:
“Ndjek dhe inkurajoj përpjekjet e organizatave të shumta bamirëse, që po përpiqen të plotësojnë nevojat e jashtëzakonshme të vendit. Lutem për të plagosurit, për të pastrehët e për të gjithë ata që kanë humbur jetën kaq tragjikisht”RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.