2010-01-18 16:22:29

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar: gjendja në Haiti, katastrofike.


(18.01.2010 RV)Gjashtë ditë pas tërmetit, gjendja në Haiti është katastrofike. Kështu deklaroi sot kreu i delgacionit haitian të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Rikardo Konti, i cili nënvizoi se nevojat janë të jashtëzakonshme dhe organizatat humanitare po përballojnë një punë me përmasa të frikshme. Problem mbetet sidomos pajisja e strukturave shëndetësore, të cilat nuk kanë as personel e mjekë të mjaftueshëm, por edhe strehimi, furnizimi me ujë dhe ushqime për shumicën e popullsisë.
Po bëhen shqetësuese bandat që vjedhin e shkatërrojnë çdo gjë që gjejnë përpara, aq sa, pas kërkesës së OKB-së, Bashkimi Evropian pranoi propozimin francez për të dërguar në Haiti xhandarmërinë evropiane. Në të bëjnë pjesë pesë vende: Italia, Franca, Spanja, Portugalia dhe Hollanda. Tani për tani flitet për 140-150 njësi.
Ndërkaq, vazhdon impenjimi i Kishës për lehtësimin e vuajtjeve të popullsisë, pavarësisht se shumica e kishave dhe e qendrave të Karitasit janë shkatërruar gjatë tërmetit. Ndihmat vijnë nga magazinat e Republikës Domenikane, ku po dërgon krejt Kisha universale. Përveçse në kryeqytetin Port-au Prince, po punohet edhe në Pëtì Guajav dhe në Leogan, shkatërruar në masën 85%. Deri tani, janë shpërndarë pako me ushqime, 15 mijë tenda, paketa për kuzhinën e për higjenën, dezinfektues dhe dyshekë, ujë i pijshëm për 3 mijë familje, gjeneratorë drite e aparatura për komunikim. Nga Afrika e Jugut po mbërrin një skuadër mjekësh me 100 ton pajisje sanitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.