2010-01-16 14:25:31

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të gjatë vitit ‘C’


(16.01.2010 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit tč tretë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Dëgjues të nderuar, pas festës së kohës së Krishtlindjes, me këtë të diele me kalendarin Kishtar kalojmë në kohën liturgjike, pra shpirtërore, të zakonshme e cila quhet ‘koha gjatë vitit Kishtar’, që do të thotë se përfshinë ato të diela që janë jashtë kohëve të forta shpirtërore liturgjike siç janë koha e Ardhjes, koha e Krishtlindjes, koha e Kreshmëve, koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve.
Fjala e Zotit e kësaj së diele të dytë gjatë vitit Kishtar, vazhdon të zhvillojë e të na shpjegojë duke na paraqitur misterin e dëftimit, pra misterin e shfaqjes së Zotit tonë Jezu Krisht, mister që kemi kremtuar pikërisht në kohën e Krishtlindjes e deri në festën e Dëftimit të Zotit (Ujit të Bekuar) e të Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan.
Liturgjia e lashtë Kishtare këndonte me këto fjalë: “Sot Kisha i bashkohet Dhëndrit qiellor: mëkatet e saj janë larë prej Krishtit në lumin Jordan; Dijetarët e Lindjes i sjellin Jezusit dhurata dasme, dhurata martesore; uji është shndërruar në verë në Kanë të Galilesë e të ftuarit e dasmës po festojnë plotë gëzim. Aleluja”!.
Në realitet, mund të themi se çdo të diele në Liturgjinë Eukaristike ne kremtojmë misterin e dëftimit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ai na dëftohet në shumë mënyra e në një mënyrë tejet të veçantë dëftohet në shenjat e shenjta të Meshës, në Eukaristi i ka trajtat e të Ngjallurit, tiparet e Atij që e ka mundur të keqen, që e mposhtur të keqin, që e ka asgjësuar vdekjen, që e shndërruar vetminë në bashkësi, trishtimin në gëzim, vdekjen në jetë.
Prandaj, për besimtarët e krishterë, çdo e diel është festë e Pashkëve, momenti më i lartë i dëftimit të Zotit dhe i takimit tonë me Të. Për këtë arsye Mesha Shenjte, pra Eukaristia merr ngjyrë, tonë e shije feste, gëzimi dhe petkat liturgjike të meshës janë solemne: sepse kur jemi të pranishëm në Meshën Shenjte, kur marrin pjesë në Eukaristi, ne shkëputemi prej punëve tona të përditshme, prej shqetësimeve e angazhimeve tona për të marrë pjesë në praninë e Zotit, për ta dëgjuar Fjalën e Tij jetëdhënëse, dritëdhënëse, si dhe për ta takuar e pastaj për të shijuar dashurinë e Tij Hyjnore, bekimin e Tij Hyjnor, përdëllimin e Tij e miqësinë e bujarinë e sofrës së Tij Hyjnore, të cilën Jezusi e shtron për çdo njeri e për secilin prej nesh, për na mundësuar pjesëmarrjen në Jetën e Tij.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Gjoni (Gjn2,1-12) na njeh me fillimin publik të misioni shpëtimprurës të Jezu Krishti dhe Atë na e paraqet të pranishëm e pjesëmarrës në një festë të bukur martesore bashkë me Nënën e tij Virgjërën Mari dhe nxënësit e tij në dasmën e dy të rinjve që martoheshin në Kanë të Galilesë.
Festa e martesës së Kanës së Galilesë është simbol i bashkimit që Zoti gjithmonë ka dashur të realizojë me njerëzimin. Këtë bashkim që Ati Qiellor përmes dhe në të Birin e Tij Njëlindurin Jezu Krishtin e ka vendosur sërish me njerëzimit, na tregon dhe pohon edhe identitetin e vërtetë të Jezusit, në të cilin jeta e njeriut shndërrohet dhe kalon nga mëkati në përdëllim, nga hakmarrja në falje, nga urrejtja në dashuri, nga errësira në dritë, nga thatësira në begati, nga vdekja në jetë.
Për ta përmirësuar e shndërruar jetën tonë në një jetë me të vërtet cilësore, në leximin e dytë të kësaj së diele nga letra e parë drejtuar Korintianëve, shën Pali Apostull na fton të shkojmë përtej interesave tona personale, të bëhemi vegla puna për të mirën e përbashkët shoqërore kombëtare e botërore, sepse “dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë”. Duke jetuar sipas Shpirtit të Zotit, ne mësojmë të jetojmë vëllazërisht, në përkim, pajtim e respekt me njëri-tjetrin.
Gjithçka që është njerëzore është e çmueshme për Zotin. Në Kanë të Galilesë, Jezusi e kryen mrekullinë e parë, duke shndërruar ujin në verë. Kjo mrekulli është njëkohësisht edhe kumtimi i parë i Eukaristisë dhe bekimi i Krishtit mbi dashurinë e anasjelltë të çiftit martesor.
Dëftimi i Jezusit që na u shfaq në dasmën e Kanës së Galilesë përmes mrekullisë së shndërrimit të ujit në verë pohon afërsinë e Zotit ndaj njeriut. Nga kjo ngjarje fillon pra manifestimi i asaj çka Jezusi është edhe për ne, sot. Burim gëzimi, fuqi jete e dritë për hapat tanë.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 62, 1-5

Hyji i dhuron shpëtimin e vet Jerusalemit, para të gjithë popujve me një dashuri të ngjashme me atë të dhëndrit për nusen e vet. Është Hyji që pranon njerëzimin tonë për një akt të pastër dashurie dhe na jep qartësinë e vlerës së jetës sonë. Njerëzimi nuk do thirret më “i harruari, i braktisuri”, por do të quhet gëzimi i Hyjit, shok i të Tejlartit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Për shkak të Sionit unë nuk do të heshtoj, për shkak të Jerusalemit s’do t’i jap vetes pushim – deri që drejtësia e tij të dalë porsi drita, e shpëtimi i tij të mos ndizet si llamba! Të gjithë popujt do ta shohin drejtësinë tënde, të gjithë mbretërit lavdinë tënde; do të quhesh me një emër të ri, që do ta caktojë goja e Zotit. Do të jesh kurorë nderi në dorën e Zotit, kezë mbretërie në shuplakë të Hyjit tënd. Nuk do të quhesh më “E lëna”, toka jote më s’do të quhet “E shkretuar”, por do të quhesh “Kënaqësia ime” e toka jote “E martuara”, sepse ti i pëlqeve Zotit e toka jote do të jetë e martuar. E njëmend, sikurse i riu që martohet me të fejuarën, kështu me ty do të martohet ndërtuesi yt sikurse dhëndri që i gëzohet nuses, kështu do të gëzohet ty Hyji yt.
Fjala e Zotit.


Psalmi 96

Ti, o Zot, i bëre të gjitha gjërat të reja
----------
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni emrin e tij.
----------
Shpalleni si një ditë për ditë
shpëtimin e tij,
kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
----------
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
----------
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
----------

Leximi i dytë 1 Kor 12, 4-11

Shpirti u dhuron të krishterëve thirrje të ndryshme sipas personalitetit të secilit. Por këto ndryshime mund t’i shtyjnë të krishterët të vihen njëri kundrejt tjetrit. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet pa humbur personalitetin e secilit duke i shërbyer të mirës së përbashkët.


Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, Shpirti Shenjt i jep njërit fjalën e urtisë, kurse i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fjalën e dijes; po i njëjti Shpirt Shenjt një tjetri i jep fenë, një tjetri prapë, i njëjti Shpirt Shenjt i jep dhuratën e shërimeve; një tjetri pushtetin për të bërë mrekulli, një tjetri profecinë, një tjetri aftësinë të dallojë shpirtrat, një tjetri zotësinë e gjuhëve të ndryshme, një tjetri shtjellimin e gjuhëve. E të gjitha këto i bën një i vetmi Shpirt Shenjt duke i ndarë veçanërisht secilit ashtu si do Ai.
Fjala e Zotit.



Ungjilli Gjn 2, 1-12

Jezusi me kërkesën e Marisë, nënës së tij, kryen mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë, duke shndërruar ujin në verë. Me këtë shenjë Ai ka zbuluar hyjninë e vet dhe domethënien më të thellë të jetës së tij. Me Jezusin arrin “ora” e shumëpritur nga profetët, ora e dasmës së Hyjit me njerëzimin. Kjo orë do të realizohet përfundimisht kur nga kraharori i Krishtit mbi kryq do të rrjedhë gjak dhe ujë.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.