2010-01-16 14:55:57

Haiti: forca e dashurisë. Editorial i atë Federiko Lombardit


(16.01.2009 RV)Tragjedia e tërmetit në Haiti po afron popuj e kombe në një lëvizje të madhe solidariteti. Para dhimbjes, bien pengesa e armiqësi. Ja komenti i drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardit, pikërisht për këtë argument:
“Bota është tronditur me të drejtë nga tragjedia e popullit të Haitit, nga dhjetra mijëra viktimat, nga numri i jashtëzakonshëm i të dëmtuarve, nga vështirësitë në organizimin e ndihmave në një gjendje konfuzioni të përgjithshëm, nga dhimbja e një populli të tërë që të këput shpirtin, pasi ishte që më parë ndër më të varfërit e Tokës. Edhe Kisha, që jeton me popullin e vet, është goditur drejtpërdrejt e dhimbshëm nga vdekja e shumë anëtarëve të saj, duke filluar nga kryeipeshkvi i qytetit, e nga shkatërrimi i veprimtarive të shumta. Papa e ngriti menjëherë zërin me fjalë prekëse afërsie shpirtërore e me thirrje për solidaritet, e me të u bashkuan edhe shumë të tjerë, nga të gjitha vendet, në veçanti fqinjët e kontinentit amerikan, prandaj mund të shpresojmë se edhe kësaj radhe – siç ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën – tragjedia e rëndë të bëhet rast për një garë të gjerë solidariteti e dashurie. E kjo dashuri bujare dhe e pastër është ndoshta i vetmi ngushëllim, e vetmja përgjigje para këtij deti me dhimbje, ashtu si dashuria e Krishtit që vdes në kryq është e vetmja përgjigje për vuajtjet e njeriut. Një meshtar na tha: “Ne haitianët jemi mësuar me katastrofat. Kur nuk ka fatkeqësi natyrore atëherë kemi ato politike e të çdo lloji tjetër, që e trondisin gjithmonë vendin. Por populli çdo herë rifillon të shpresojë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Dhe kjo shpresë quhet shpresë e krishterë. Për haitianët dashuria është e fortë”. Shumë veprimtarë shoqërorë e pastoralë, dëshmitarë solidariteti, kanë vdekur këto ditë – të themi edhe “për dashuri” – me haitianët, si braziliania Zilda Arns, themeluese e së mrekullueshmes “baritori për fëmijët”. Duhet të vazhdojmë ta shoqërojmë, përmes solidaritetit dhe dashurisë, rilindjen – edhe një herë – të shpresës e të dashurisë së haitianëve, të të varfërve e të të vuajturve të botës”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.