2010-01-15 18:05:31

Papa Kongregatës për Doktrinën e Fesë: Magjisteri i Kishës u ofrohet të gjithë atyre, që kërkojnë të vërtetën, edhe jo besimtarëve.


(15.01.2010 RV)“Magjisteri i Kishës u drejtohet të gjithë atyre, që kërkojnë të vërtetën, besimtarë ose jo besimtarë”: kështu u shpreh Benedikti XVI në audiencën e sotme me pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Papa u ndalua posaçërisht tek ndihmesa që mund të japë feja e krishterë në fushën e bioetikës. Ripohoi se impenjimi i parë i Pasardhësit të Shën Pjetrit, është të kujdeset për unitetin e besimtarëve.
Në emër të të pranishmëve, Papën e përshëndeti kardinali Uiljam Jozef Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

Pasardhësi i Shën Pjetrit ‘është rojtari e mbrojtësi i parë i fesë”: këtë ripohoi Benedikti XVI gjatë fjalimit drejtuar plenares së Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Por vijoi Papa – nuk duhet harruar edhe se Kisha dëshiron të japë ndihmesën e vet për formimin e ndërgjegjes të të gjithëve, jo vetëm të besimtarëve. Benedikti XVI kujtoi se detyra e tij është, mbi të gjitha, t’i shërbejë unitetit e se Ipeshkvi i Romës duhet t’i bindet fesë, me qëllim që e Vërteta, pra Krishti, të vijojë t’i ndriçojë të gjithë njerëzit:
“Përforcimi i vëllezërve në fe, duke i mbajtur të bashkuar në dëshmimin e Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur, për atë që rri në katedrën e Shën Pjetrit, përbën detyrën e parë e themelore, të ngarkuar nga vetë Jezusi. Është një shërbim i detyrueshëm, nga i cili varet fryti i veprimtarisë ungjillëzuese të Kishës, deri në fund të fundit të shekujve”.
Prej këndej, Papa uroi të zgjidhen problemet doktrinore, që vijojnë ta pengojnë Vëllazërinë e Piut IX për t’u bashkuar plotësisht me Kishën. Më pas, shprehu kënaqësinë e tij për impenjimin e dikasterit në favor të bashkimit të plotë me Kishën katolike të grupeve të besimtarëve e të individëve, që i përkisnin Anglikanizmit:
Bashkimi i krishterë i këtyre grupeve me të vërtetën e marrë nga Krishti e të propozuar nga magjisteri i Kishës, nuk i kundërvihet në asnjë mënyrë lëvizjes ekumenike, përkundrazi, thekson qëllimin e saj të fundmë, arritjen e bashkimit të plotë e të dukshëm të dishepujve të Zotit”.
Më pas Papa kujtoi kontributin, që ka dhënë Kongregata për Doktrinën e Fesë, në fushën e bioetikës, posaçërisht me botimin e Udhëzuesit ‘Dignitas personæ” të 2008-tës. Duke prekur tema tejet delikate e aktuale, siç është lindja e fëmijëve dhe manipulimi i embrioneve – pohoi Papa – Udhëzuesi theksoi me forcë se duhet respektuar çdo qenie njerëzore, në të gjitha stinët e jetës:
Në këtë mënyrë, Magjisteri i Kishës dëshiron të japë ndihmesën e vet, duke formuar jo vetëm ndërgjegjen e besimtarëve, por edhe të gjithë njerëzve, që kërkojnë të vërtetën dhe dëshirojnë t’ua venë veshin argumentimeve, të cilat burojnë nga feja, por edhe nga vetë arsyeja. Kisha, duke propozuar vlerësime morale për kërkimin shkencor në fushën biomjekësore mbi jetën njerëzore, frymëzohet si nga drita e arsyes, ashtu edhe nga drita e fesë (cfr Ibid., n.3), me bindjen se ‘feja jo vetëm e pranon dhe e respekton gjithçka njerëzore, por edhe e pastron, e larton, e përsos”.
Në këtë kontekst – vijoi Papa – i jepet përgjigje edhe mendësisë së përhapur, sipas së cilës feja paraqitet si pengesë për lirinë e kërkimit shkencor, sepse përbëhet nga një mori paragjykimesh, që cënojnë kuptimin objektiv të realitetit:
Përballë një mendësie të tillë, që ka prirjen ta zëvendësojë të vërtetën me miratimin e brishtë e të manipulueshëm, feja e krishterë jep një kontribut të vërtetë edhe në fushën etiko-filozofike, jo duke i paraprirë zgjidhjes së problemeve konkrete, si kërkimi shkencor dhe eksperimenti biomjekësor, por duke propozuar perspektiva morale të besueshme, brenda të cilave arsyeja njerëzore mund të kërkojë e të gjejë rrugëzgjidhje të vlefshme”.
E kjo - tha Papa - sepse disa mësime të caktuara të zbulesës së krishterë, si “vlera e jetës njerëzore dhe përmasa relacionale e shoqërore e njeriut”, “lidhja ndërmjet aspektit bashkues e atij krijues të seksualitetit”; “qendërsia e familjes së themeluar mbi martesën e një burri me një grua”, hedhin dritë edhe mbi problematikat bioetike:
Këto mësime, të shkruara në zemrën e njeriut, kuptohen edhe racionalisht, si elemente të ligjit moral natyror e mund të pranohen edhe nga ata, që nuk kanë të bëjnë me fenë e krishterë”.
Ligji moral natyror – vërejti Ati i Shenjtë – nuk i përket vetëm fesë, ndonëse doktrina ndriçohet e zhvillohet plotësisht përmes zbulesës së krishterë dhe përkryerjes së njeriut në misterin e Krishtit:
“I bazuar mbi vetë natyrën njerëzore dhe i pranueshëm për çdo krijesë të arsyeshme, ligji moral natyror përbën, kështu, themelin për të hyrë në dialog me të gjithë njerëzit, që kërkojnë të vërtetën e, më në përgjithësi, me shoqërinë civile e shekullare”.
Ky ligj, i shkruar në zemrën e njeriut – përfundoi Papa - prek një nga nyjet kryesore të vetë reflektimit mbi drejtësinë, duke interpeluar edhe ndërgjegjen e përgjegjësinë e ligjvënësve.







All the contents on this site are copyrighted ©.