2010-01-15 16:37:14

Mbërrijnë ndihmat e para ndërkombëtare në Haiti


(15.01.2009 RV)Tragjedi e kaos në Haiti, pas tërmetit të fuqishëm që përfshiu vendin të martën. Numri i të vdekurve duhet të jetë nga 40 deri në 50 mijë vetë, por bilanci mbetet gjithnjë i përkohshëm. Fillojnë të gërmohen varret e para të përbashkëta, për mijëra njerëz që kanë mbetur anës rrugëve. Në kalimin kufitar, nga Republika Domenikane në Haiti, policët, pasi u kërkojnë gazetarëve emrat e dokumentet, i paralajmërojnë: “Përtej kufirit ju pret ferri. Shumë burgje janë shkatërruar e shumë kriminelë janë të lirë. Kini kujdes edhe për higjenën. Merrni me vete shumë ujë, pasi atje nuk ka më. Edhe doreza e maska, sepse ka rrezik infektimi. Paçi fat!”
Bilanci është i rëndë edhe për Kishën lokale. Kryeipeshkvi i Port-au-Prince, imzot Serge Miot humbi jetën gjatë tërmetit. Mbrëmë, të mbijetuarit u lutën në sheshet e qytetit. Sipas burimeve vendase, të paktën 100 meshtarë e seminaristë kanë pësuar të njëjtin fat me kryeipeshkvin.
Ndërkaq, po fillojnë të mbërrijnë ndihmat e para ndërkombëtare. Duke pasur parasysh kaosin që ekziston në vend, përveç avionëve, SHBA-të kanë dërguar në Haiti nga deti, një aeroplanmbajtëse me njëmijë ushtarë e 19 helikopterë, 6 anije, prej të cilave 3 njësi amfibe me helikopterë dhe një anije spital.
Është shumë e vështirë të merren lajme nga vendi. Komunikimet janë ndërprerë. Funksionon vetëm Skype, pra lidhja me internet. Gjendja është krejtësisht jashtë kontrollit, aq sa t’i detyrojë organizatat humanitare të presin për të pasur një pikë të qëndrueshme referimi. Ndër to, prej kohësh në Haiti, punon Lëvizja e Laikëve për Amerikën Latine, që ka një program ushqimor për 4000 vetë dhe një projekt tjetër për rindërtimin e territorit. Nëse shihen kreditë e fundit të marra nga Banka Botërore për Haitin, dëmtuar nga uraganet dhe kriza ekonomike, vërehet se më të shumtat janë financime për ndërtimin e rrugëve e të urave. Të dëgjojmë koordinatorin e projekteve të organizatës, Martino Vinçi:
Haiti është vend me probleme varfërie të skajshme, që, për shkak të dobësive strukturore, nuk është në gjendje të bëjë politika zhvillimi. Në këtë moment, gjendja është e vështirë, sepse në ndryshim nga fatkeqësitë e tjera, si uraganet, që goditën zonat rurale, tërmeti goditi kryeqytetin, qendrën jetësore të vendit. Jemi në lidhje me një organizatë humanitare në Republikën Domenikane, ku po bëhen përpjekje për organizimin e ndihmave. Asgjë nuk gjindet më në Port-au-Prince e furnizimi me çdo mall të nevojshëm është absolutisht zero. E njëjta gjë edhe për burimet financiare. Në vend, kemi fonde për projektet, që mund t’i përdornim në këtë moment të vështirë, por është absolutisht e pamundur. Bankat janë shembur, sistemi i komunikimit nuk ekziston.
Shumë haitianë jetojnë jashtë vendit. Ç’rol mund të luajnë në këtë situatë?
Shumica e organizatave me të cilat punojmë dhe shoqëria civile shpresojnë që diaspora haitiane të luajë një rol më të rëndësishëm në rindërtimin e vendit. Mendoj se kjo tragjedi duhet të ndikojë, të paktën psikologjikisht, për ta bashkuar diasporën. Janë rreth 4 milion haitianë jashtë vendit, në SHBA-të, në Francë e në vendet kufitare. Problemi është se në Haiti duhet të rikrijohet aftësia, edhe minimale, për koordinim.
Ka pasur humbje edhe në mesin e veprimtarëve humanitarë. I tillë është rasti i Zilda Arns, 75 vjeçe, themeluese e Baritorisë për Fëmijët, organizatë e lidhur me Konferencën e Ipeshkvijve të Brazilit. Motër e kardinalit Paulo Evaristo Arns, kryeipeshkëv nderi i San Paulos, me mision në Port-au Prince dhe gjeti vdekjen në rrugët e kryeqytetit haitian. Njihej si Nënë Tereza e Amerikës Latine. Mjeke pediatre, Zilda Arns kishte 5 fëmijë e me anë të organizatës së saj ndihmoi gati 2 milion vogëlushë, 95 mijë gra shtatzëna në mëse 42 mijë bashkësi. Ja si e shpjegonte ajo vetë, në mikrofonin e Radio Vatikanit, nga i vinte frymëzimi:
“Të njohësh Jezusin, të jesh dishepull i tij, ky është gëzimi ynë. Ta ndjekësh është hir, po ashtu edhe të japësh dëshmi për Të; pjesëmarrja me solidaritet në mbështetjen e familjeve të varfëra është misioni ynë, pasi të gjithë fëmijët duhet të jetojnë në plotësi. Sëbashku mund të ndërtojmë një shoqëri të drejtë e vëllazërore në shërbim të jetës e të shpresës”.
Pikë referimi për Amerikën Latine në luftën kundër urisë dhe vdekshmërisë foshnjore: dy fusha në të cilat kishte arritur rezultate të shkëlqyera, duke zvogëluar me 60% të parën e me 50% të dytën. Për impenjimin e saj ka qenë kandidate e Çmimit Nobel për paqen. Ipeshkvijtë e Brazilit kujtojnë se ajo vdiq duke i shërbyer çështjes në të cilën besonte e duke zbatuar misionin e Jezusit: “Unë erdha që ta kenë jetën e ta kenë me plotësi”(Gjn 10,10).







All the contents on this site are copyrighted ©.