2010-01-15 18:05:45

Drejtoresha e Muzeut Hebraik të Romës, Daniela Di Kastro, mendon se vizita e Benediktit XVI mund t’i bëjë veç mirë dialogut ndërmjet hebrenjve e katolikëve.


(15.01.2010 RV)Vlojnë përgatitjet për vizitën e Benediktit XVI në Sinagogën e Romës, të dielën e ardhshme. Një nga çastet e rëndësishme të saj, do të jetë përurimi i ekspozitës “Et ecce gaudium” në Muzeun Hebraik të Romës, paraqitur dje pasdite para gazetarëve. Është një ekspozitë me 14 vizatime, përgatitur në vitet ‘700 nga hebrenjtë e qytetit, për kurorëzimin e papëve të Romës. Kujtojmë se Bashkësia Hebraike kishte rolin e saj në ceremonitë e kurorëzimit të papëve, në përkim me kohën e tyre. Në gjysmën e viteve 1600 e për gjithë 1700-tën, hebrenjtë u caktuan të zbukuronin me sixhade e pëlhura të tjera të çmuara, të cilat shërbenin si sfond për tabela me figura simbolike e shprehje, në hebraisht e latinisht, që himnizonin papën, një pjesë të rrugës ndërmjet Harkut të Titit e Koloseumit. Mendohej se këto zbukurime të përkohshme, prej karte e të realizuara vetëm për ceremoninë, duhet të kishin humbur prej kohe. Ndërsa 14 prej tyre, të lidhura me papnitë e Klementit XII (1730); Klementit XIII (1758); Klementit XIV (1769) e Piut VI (1775), u rigjetën në Arkivin Historik të Bashkësisë Hebraike të Romës. Në to janë vizatuar figura njerëzish, kafshësh, lulesh e sendesh të tjera.
Po cili është qëndrimi i botës së kulturës hebraike për vizitën e Benediktit XVI në Sinagogë, 24 vjet pas asaj të Gjon Palit II? Intervistuam doktoreshën Daniela Di Kastro, drejtoreshë e Muzeut Hebraik të Romës:

Përgjigje: - Kanë kaluar pikërisht 24 vjet e bota ka ndryshuar plotësisht: kanë ndryshuar, pa dyshim, edhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë hebraike të Romës e botës katolike, pas së resë së jashtëzakonshme, që solli Gjon Pali II në vitin ’86. Mund të themi se janë bërë hapa të rëndësishme përpara. Kjo vizitë do të jetë, pa dyshim, një gur tjetër kilometrik, shumë i rëndësishëm, në dialogun judaiko-kristian e pikërisht në një çast, kur bota ka tepër nevojë për dialog.

Pyetje: - Me rastin e vizitës së Benediktit XVI, do të përurohet ekspozita ‘Et ecce gaudium”, që pasqyron pikërisht marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve e papatit…

Përgjigje: - Aty nga mesi i pesëqindës, hebrenjtë humbasin të drejtat civile e mbyllen në një geto, megjithatë pjesëmarrja e tyre në ceremoninë e kurorëzimit të papëve vijon. Kjo është themelore, sepse pavarësisht nga humbja e të drejtave civile e megjithëse konsiderohen qytetarë të dorës së dytë, ata vijojnë të mbeten qytetarë romakë. Është themelore, sepse statusi i hebrenjve të Romës mbetet status qytetari, të cilit i garantohet mundësia për të banuar këtu, në qytet. E pikërisht në Romë hebrenjtë u caktuan të zbukuronin një rrugë me pëlhura, që përmbanin kryesisht mbishkrime biblike.

Pyetje: - Muzeu hebraik i Romës ruan kujtimet e bashkësisë hebraike të qytetit. Pse është e rëndësishme të ruhet kjo kujtesë, posaçërisht për breznitë e reja?

Përgjigje: - Muzeu hebraik i Romës është pikërisht një pjesë e qytetit e unë mendoj se kujtimet e hebraizmit në Romë janë të gërshetuara me ato të qytetit, sa mund të themi se Roma nuk mund të njihet plotësisht, pa njohur edhe Muzeun Hebraik, historinë e hebraizmit, duke u nisur, për shembull, nga toponimet e tij. Zona, që rrethon muzeun hebraik, zona e lagjes hebraike, ku dikur ishte getoja, si dhe rrugët pranë saj, janë të rëndësishme jo vetëm për historinë e hebraizmit, por edhe për gjithë historinë e qytetit. Pastaj nuk duhet harruar se ky muze ka rëndësi të veçantë për historinë e arteve, kryesisht atyre dekorative.

Pyetje: - Dialogu ndërmjet hebrenjve e katolikëve ka shumë përmasa. Sa është i frytshëm në fushën e kulturës?

Përgjigje: - Terreni i kulturës – faleminderit qiellit - është terren i përshtatshëm për dialog. Nuk mund të ketë dialog, pa kulturë. Mjafton të hapësh një gazetë, dhe e kupton menjëherë se ku mungon kultura, aty vdes dialogu. Ndërsa ne përpiqemi të bëjmë të kundërtën: përpiqemi shumë t’i afrojmë shkollat tek Muzeu hebraik i Romës, e gjithnjë më shumë bashkësia hebraike e Romës përpiqet ta fuqizojë muzeun si ‘zonë dialogu’. Natyrisht, kur kemi fatin të presim një vizitë kaq të ndritur, si kjo e Papës, Muzeu ia del mbanësh të komunikojë me viset më të humbura të botës. E unë besoj se gjithë kjo mund t’i bëjë vetëm mirë dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.