2010-01-14 15:05:49

Çelësi i fjalëve të Kishës: Jezu Krishti dhe hebrenjtë


(14.01.2009 RV)Të dielën e ardhshme Papa Benedikti XVI shkon në Sinagogën e Romës, me rastin e ditës kushtuar dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Shpesh dëgjojmë t’u vihet faji hebrenjve për vdekjen e Krishtit. Në emisionin e sotëm do t’i përgjigjemi pyetjes: “A është e vërtetë kjo dhe a kanë kërkuar ndonjëherë falje hebrenjtë për kryqëzimin e Krishtit, ashtu siç bëri Papa Gjon Pali II me gabimet e të krishterëve në histori?”

Jezusi u arrestua në prag të Pashkëve dhe iu nënshtrua një procesi para sinedrit. Hanah, Kaifa dhe saducejtë e tjerë iu drejtuan poncit romak Pilati, pasi nuk mund të jepnin dënime me vdekje, por sidomos e dinin se ky vendim nuk do të mbështetej nga populli e ndoshta, as nga sinedri, ku përfaqësoheshin familjet më të rëndësishme hebraike. Nuk duhet harruar edhe se, pas vdekjes së Jezusit, pikërisht dy anëtarë të nderuar të sinedrit, Jozefi i Arimatesë dhe Nikodemi u morën me varrosjen e Krishtit.
Përveç kësaj, në Veprat e Apostujve tregohet për arrestimin e tyre dhe për rrezikun që të përfundonin edhe ata si Krishti. Gamalieli, një tjetër anëtar i sinedrit, jo vetëm që i mbrojti me zjarr, por edhe u ndoq nga shumica e të pranishmëve. Pastaj kemi dëshminë e historianit hebre Jozef Flavio, që flet për Jezusin si për një person të drejtë.
Pra, nuk mund të themi se hebrenjtë janë përgjegjës për vdekjen e Jezusit. Ajo i duhet atribuar një grupi apo klani në fuqi, i cili veproi për të mbështetur autoritetet romake. Teza, sipas së cilës hebrenjtë janë përgjegjës për vdekjen e Jezu Krishtit, filloi të përhapej në shekujt IV-V. Në Mesjetë, kjo akuzë solli persekutime e diskriminime të shumta.
Në kohët më të vona, hebrenjtë treguan një interes të ri për figurën e Jezu Krishtit, duke filluar nga gjysma e dytë e ‘800-ës, paralelisht me kërkimet historiko-shkencore mbi Nazarenin. Maks Nordò, bashkëpunëtor i ngushtë i Teodor Herzlit, atë i sionizmit, shkruante: “Jezusi është shpirti i shpirtit tonë, po ashtu është gjak nga gjaku ynë. Pra, kush mund ta ndajë nga populli hebraik?”. Nga ana e tij, Martin Buber, filozof e teolog hebre austriak, në veprën e tij të famshme “Dy lloje fesh”, pohon: “Që nga rinia e kam ndjerë figurën e Jezusit si atë të një vëllai më të madh… Marrëdhëniet e mia vëllazërore me të janë bërë gjithnjë më të forta e më të pastra”.
Në të njëjtën linjë flet edhe Shalom Ben-Korin, autor i një libri, ku konsiderata e lartë për Jezu Krishtin duket që në titull: “Vëllai Jezus. Pikpamje hebraike mbi Nazarenin”. E së fundi, kujtojmë veprën e Jakob Nojsner, “Një rabin flet me Jezusin”, për të cilën Papa Benedikti XVI ka shkruar: “Ky debat… i eruditit të madh hebre… më hapi sytë mbi madhështinë e figurës së Jezusit”.
Këto janë disa nga qëndrimet e botës intelektuale hebraike mbi Jezu Krishtin, por pyetja jonë është: “A kanë kërkuar ndonjëherë falje hebrenjtë për kryqëzimin e Krishtit, ashtu siç bëri Papa Gjon Pali II me gabimet e të krishterëve në histori?” Kjo nuk ka ndodhur, por Kisha Katolike mendon se nuk është as e nevojshme. Teologjia e krishterë, në fakt, ka sqaruar sot se Jezusi deshi të shkonte me vullnet të plotë drejt vdekjes. Siç ka kujtuar Papa Benedikti XVI, vdekja e Jezusit përtëriu dhe përmbushi besëlidhjen e vetme të Zotit me Izraelin. Për këtë arsye, të krishterët dhe hebrenjtë janë vëllezër, të thirrur të jetojnë e të dëshmojnë sëbashku misterin e madh të dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.