2010-01-14 17:47:23

Haiti në kaos pas tërmetit 7 ballësh. Me qindra mijëra viktima.


(14.01.2010 RV)Janë njëqind mijë por ndoshta edhe shumë më tepër viktimat që shkaktoi tërmeti i së martës në Haiti. Dëmet janë të pallogarishtme. Ndërkaq e gjithë bashkësia ndërkombëtare është mobilizuar për t’i shkuar në ndihmë të mbijetuarve si edhe për të nxjerrë nga rrënojat ata që mund të jenë gjallë. Këshilli Papnor Cor Unum përsëriti sot në një komunikatë thirrjen e Papës Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme të djeshme: “Ndihmat duhet të jenë të bollshme dhe konkrete që të përballohen nevojat e ngutshme të vëllezërve dhe të motrave tona në Haiti”. “Cor Unum – thuhet në komunikatë – në lidhje të drejtpërdrejtë me Katholik Relif Servisis - që është agjencia humanitare ndërkombëtare e ipeshkvijve të SHBA - i ka kërkuar këtij dikasteri koordininimin e veprimeve në këtë fazë. Personeli prej 300 vetësh që gjendet në Haiti me përvojën që ka, me aftësitë dhe me burimet në dispozicion do të mundësojë koordinimin dhe efikasitetin e të gjithë ndihmesës së Kishës”. Por fatkeqësisht operacionet e shpëtimit janë shumë të ngadalta dhe të vështira. Po gërmohet me duar për të gjetur të gjallët poshtë gërmadhave. Ndërkaq sot ra një tjetër tërmet prej 4.7 ballësh Rihter, 10 km thellë, me epiqendër 50 km nga kryeqyteti Port o Prens.
I gjithë vendi është kthyer në një grumbull rrënojash dhe është në kaos të plotë ndërsa nëpër periferi kanë filluar plaçkitjet. Të dëgjojmë vetë presidentin e republikës haitiane René Preval:

Përgjigje: Pallati presidencial u shemb. Nuk mund të qëndroj më aty e nuk mund të banoj as në shtëpinë time pse edhe ajo është rrënuar. Nuk e di ku mund të shkoj për të fjetur. Sidoqoftë tani po punoj për të shpëtuar njerëzit. Të flesh nuk është një problem. Po përjetojmë një situatë tragjike. Duhet ta shihni me sy për ta besuar. Ka shtëpi të shkatërruara, spitale, shkolla të rrënuara dhe njerëzit kanë dalë nëpër rrugë. Nuk mund t’i çojmë nëpër spitale. Tani, para së gjithash duhet të pastrojmë rrugët që skuadrat e shpëtimit të mund të punojnë. Kemi nevojë për mjekë dhe barna. Ato spitale që janë në funksion janë plot e përplot dhe njerëzit janë nëpër rrugë. Ka rrezik që shtëpitë të vazhdojnë të shemben. Ka rrezik epidemish por të gjithë po bëjnë sa munden për të na ndihmuar. Dua t’i falenderoj të gjitha shtetet që kanë nisur të na ndihmojnë.

Bilanci është tragjik edhe për kishën e vendit. Kryeipeshkvi i Port o Prens Imzot Serzh Mio ka vdekur në rrënojat e katedrales. Dje në mbrëmje shumë të mbijetuar u lutën nëpër sheshet në qendër të kryeqytetit Port o Prens. Sipas burimeve vendore mendohet se së paku 100 meshtarë dhe seminaristë kanë vdekur. Në mikrofonin tonë flet Atë Zhan Patrik:

Përgjigje: Kisha haitiane është goditur rëndë nga kjo katastrofë. Janë shembur shumë kisha. Katedralja është shkatërruar nga flakët. Edhe seminari është dëmtuar dhe kanë vdekur seminaristë. Kanë vdekur edhe shumë, shumë besimtarë të dioqezës. Rreth e rrotull shohim e dëgjojmë britma, ofshama, dhimbje e ankth. Duhet të themi se kur dëmtohet Kisha dëmtohet edhe solidariteti sepse Kisha është vendi ku njerëzit gjejnë solidaritet. Por tani është vetë Kisha e Haitit që është në vështirësi dhe ka besim tek ndihma e Kishës Universale. Forca e kësaj ndihme qëndron në faktin se kjo është një ndihmë që jepet me gjithë zemër, është ndihmë që buron nga dashuria e Kishës universale për kishën e vogël haitiane. Çdo kishë do të japë ndihmën e vet dhe kjo do të na ndihmojë ta ndryshojmë gjendjen e krijuar. Ne haitianët jemi mësuar me katastrofat. Kur nuk ka fatkeqësi natyrore atëherë kemi ato politike e të çdo lloji tjetër që e trondisin gjithmonë vendin. Por populli çdo herë rifillon të shpresojë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Dhe kjo shpresë quhet shpresë e krishterë. Ky popull është i bindur se Zoti e shoqëron përgjatë historisë së vet dhe se është përkrah tij pavarësisht asaj çka ndodh. Për haitianët dashuria është e fortë.

Siç thamë, pra, në vend vazhdojnë të mbërrijnë ndihma nga bashkësia ndërkombëtare. Po ashtu po bëhen përpjekje të vazhdueshme për t’u vënë në kontakt me të mbijetuarit. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka vënë në punë një sit të posaçëm interneti për t’i ndihmuar haitianët jashtë atdheut të lidhen me të dashurit e tyre (www.icrc.org/familylinks). Po ashtu numërohen në 200 vetë të humburit nga personeli i OKB-së që vepronte në vend. Ndërkaq organizatat e pranishme po monitorojnë territorin dhe po përpiqen të organizojnë ndihmat.
Në mikrofonin tonë flet Françesko Roka, komisar i përgjithshëm i jashtëzakonshëm i Kryqit të Kuq Italian:

Përgjigje: Kanë arritur ndihmat e para dhe kanë nisur të arrijnë edhe aeroplanët e parë. Po kërkojmë vend se ku e qysh të magazinohen ndihmat, spitalet fushore, strehimet, çadrat etj. por për të realizuar këtë nevojitet që më parë të gjehen zonat e përshtatshme që të çojmë pastaj edhe energji elektrike dhe ujë, sepse në Haiti tashti janë shkatërruar të gjitha infrastrukturat dhe vendi ka qenë edhe më parë shumë i varfër.

Pyetje: Sipas jush cilat janë problemet më të rëndësishme dhe më urgjente?

Përgjigje: Problemi kryesor është ai shëndetësor. Por problem është edhe ushqimi, energjia elektrike, uji, kështu që ne do të veprojmë në një terren ku mungojnë strukturat e ndërlidhjes. Ndryshe ishte puna me cunamin. Ne vepruam nëpër zona të varfra, por shteti ama ishte i fortë, ndërsa këtu kemi shumë vështirësi.

Në Haiti pra, vijojnë të arrijnë ndihma humanitare nga e gjithë bota. I dërguari i posaçëm i OKB-së Bill Klinton bëri thirrje për të dhuruar të holla dhe për ta ndihmuar popullsinë e Haitit. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën tre milionë vetë kanë nevojë për ndihma në këto çaste. Një kontribut të madh po jep edhe vendi fqinji Republika Dominikane.
Në mikrofonin tonë flet Imzot Jozef Veseuovski, nunc apostolik në Republikën Dominikane:

Përgjigje: Kemi vënë re me të vërtetë një solidaritet të madhe të njerëzve këtu për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona në Haiti. Në veçanti mund të them se kanë ardhur ndihmat e para nga SHBA dhe nga vendet e tjera dhe vihet re prania e Bashkimit Evropian dhe e OKB-së.

Pyetje: Cilat janë përparësitë në këto çaste?

Përgjigje: Tani duhet t’i përqendrojmë të gjitha përpjekjet tona për çlirimin e të gjithë njerëzve që kanë mbetur nën gërmadha. Pastaj duhen ndihmuar njerëzit me ujë, ushqime si edhe me organizimin e jetës së tyre të përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.