2010-01-13 13:02:15

Tërmet shkatërrimtar në Haiti


(13.01.2009 RV)RealAudioMP3 Vdekje e shkatërrime në Haiti, vendi më i varfër i kontinentit amerikan, ku mbrëmë ka rënë një tërmet i frikshëm. Lëkundja më e fuqishme, 7 ballë e shkallës Rihter. Pjesa më e madhe e kryeqytetit Port-au-Prince është bërë rrafsh me tokën. Kanë rënë pallate institucionale e spitale. Është dëmtuar rëndë edhe katedralja dhe sipas agjensisë Misna, është gjetur pa jetë nën rrënoja edhe kryeipeshkvi, imzot Serge Miot. Dyshohet se ka vdekur kreu i misionit të paqes së OKB-së në ishull, tunizini Hedi Hanabi. Ndër viktimat, edhe 12 helmetkaltër. Bilanci është gjithnjë i përkohshëm, pasi nën rrënoja ndodhen akoma mijëra vetë. Bashkimi Evropian jep 3 milion eurot e para e bashkësia ndërkombëtare mobilizohet për të ndihmuar Haitin. Impenjim i jashtëzakonshëm edhe nga presidenti amerikan Barak Obama, i cili foli për vendin karaibik në takimin me shtypin, në orën 16 (sipas orës evropiane).
Në audiencën e përgjithshme të paradites së sotme, Papa Benedikti XVI i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë të dëmtuarit nga tërmeti në Haiti. Ja ç’tha Ati i Shenjtë:
“Dëshiroj të bëj një thirrje për gjendjen dramatike në të cilën ndodhet Haiti. Mendimi im shkon në veçanti, tek popullsia e dëmtuar rëndë, vetëm pak orë më parë, nga një tërmet shkatërrimtar, i cili ka shkaktuar humbje të mëdha në njerëz, një numër të madh të pastrehësh e të zhdukurish, si edhe dëme të jashtëzakonshme materiale. I ftoj të gjithë t’i luten bashkë me mua Zotit për viktimat e kësaj katastrofe e për ata që derdhin lot për humbjen e tyre. U siguroj afërsinë time shpirtërore atyre që kanë mbetur pa shtëpi e të gjithë personave të sprovuar në mënyra të ndryshme nga kjo fatkeqësi, duke iu përgjëruar Zotit t’i ngushëllojë e t'ua lehtësojë vuajtjet. I bëj thirrje bujarisë së të gjithëve, që të mos u mungojë këtyre vëllezërve e motrave në momentin e nevojës e të dhimbjes, solidariteti ynë konkret dhe mbështetja e Bashkësisë Ndërkombëtare. Kisha Katolike do të aktivizohet menjëherë përmes Institucioneve të saj bamirëse për të plotësuar nevojat më urgjente të popullsisë”.
Problemi është se edhe vetë rrjeti i ndihmës bamirëse është prishur e nuk mund të funksionojë në kushtet aktuale. Janë shembur qendrat e Karitasit e konviktet ku strehoheshin fëmijë e të braktisur. Ka filluar puna për të përdorur të paktën si magazina, qendrat e Karitasit në periferi të Port-au-Prince, në të cilat do të grumbullohen ndihmat që vijnë nga jashtë. Ndërkaq, vazhdojnë gërmimet për të nxjerrë nga rrënojat njerëzit e bllokuar. Ja dëshmia dramatike e përgjegjësit të Agjensisë së SHBA-ve për zhvillimin ndërkombëtar (Usaid), Eli Lafortyn:
Haïti peut-être n’a jamais connue des catastrophes de ce genre …
Besoj se Haiti nuk ka njohur kurrë katastrofa të tilla. Isha në Port-au-Prince, në qendër të qytetit. Pashë shtëpitë që binin para meje, pashë njerëzit nën rrënoja, nën makina… janë shembur shumë ndërtesa, madje edhe Pallati presidencial, shkollat, kishat… është me të vërtetë e tmerrshme! E pastaj fëmijët: pashë gjëra të tmerrshme! E askush nuk mundi të ndihmojë askënd, pasi të gjithë ishin të tmerruar: nga asgjëja erdhën dy-tri lëkundje, e pastaj… ishte vërtet, vërtet e pabesueshme! Të gjithë vraponin, askush nuk arrinte t’i jepte një dorë tjetrit, të paktën të merrej vesh nëse mund të shpëtohej ndokush… kam frikë se nuk do ta dimë kurrë numrin e saktë të viktimave… Tani, nevoja kryesore është lirimi i personave nën rrënoja, përpjekja për të shpëtuar fëmijët që kanë mbetur pa prindër. Duhet mbështetja humanitare, që duhet të vazhdojë në kohë, sidomos ndihma mjekësore. Pastaj, do të ketë uri… Tani njerëzit luten kudo e derdhin lot. Gjithçka mund të degjenerojë me shpejtësi, nëse nuk u jepet për të ngrënë… Është me të vërtetë shkatërrim i plotë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.