2010-01-12 15:31:29

Kremtohet festa e martirit shenjt, Arkadi i Çezaresë


(12.01.2010 RV)Sipas rrëfimit, që përshkruan fundin e Arkadit, shenjti duhet ta ketë pësuar martirizimin në Akajë, por të gjitha dëshmitë e tjera na bindin se ishte Çezareja e Mauritanisë (Afrikë), vendi ku derdhi gjakun për Krishtin. Dëshmia më e besueshme për të përcaktuar vendin ku jetoi e vdiq Martiri, është fraza: “Shën Arkadi lindi në qytetin e Çezaresë, në Mauritani”, shkruar në një nga predikimet e Shën Xenonit të Veronës. Ndërsa përcaktimi i kohës, kur pësoi martirizmin, është edhe më i vështirë. Mund të mendohet se vdiq rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan. Tërbimi i salvuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim sado i vogël, për të përligjur përndjekjet e arrestimet në masë. Ditë për ditë procesionet e flijimet idhujtare, shoqëroheshin me procesionet e të krishterëve, që shkonin drejt vdekjes. Prandaj Arkadi, qytetar tejet i njohur, i neveritur nga një situatë e tillë, vendosi të ikte nga Çezareja. Por mungesa e tij ra shpejt në sy e ushtarët arrestuan një pjesëtar tjetër të familjes, për ta mbajtur si peng, duke e detyruar të rikthehej. Siç e kishin parashkuar, Arkadi u paraqit menjëherë para gjykatësit, i cili i kërkoi të flijonte në nderë të perëndive pagane. Me që nuk pranoi, u dënua me vdekje. Dokumenti më i çmuar i kultit të Shenjtit është predikimi i Shën Xenonit, i cili ka shumë mundësi të ketë qenë me prejardhje afrikane, ashtu si Shën Arkadi, që kremtoi sot Kisha katolike.
Emri Arkad vjen nga latinishtja e do të thotë ‘banor i Arkadisë’. Simboli i Shenjtit është palma e martirit. 







All the contents on this site are copyrighted ©.