2010-01-12 16:09:44

66,1 milion euro dëmet nga përmbytjet në Shqipëri


(12.01.2009 RV)Edhe në emisionin e sotëm, në plan të parë gjendja e përmbytjeve në veri të Shqipërisë. Lumi Buna është shtrirë edhe 800 metra të tjera në hyrje të Shkodrës, si pasojë e reshjeve të pandërprera gjatë natës së djeshme. Gjendja mbetet kritike edhe për faktin se prurjet në lumin Drin janë shtuar për shkak të rritjes së nivelit të liqenit të Ohrit, arritur në pikën maksimale. Është llogaritur se deri më 9 janar, dëmet kanë arritur në 66,1 milion euro. Arkeologë të qytetit të Shkodrës denoncojnë se uji po prish edhe objekte me vlerë të qytetit të vjetër. Ndërkaq, janë akoma të izoluara Velipoja, Bushati e Dajçi dhe akoma ka njerëz që nuk pranojnë të zhvendosen për të mos lënë pa zot gjithçka kanë. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se banorëve që kanë pësuar dëme nga përmbytja do t’u jepen dëmshpërblime. Vazhdon shpërndarja e ndihmave.
Fatkeqësi të tilla natyrore janë edhe pasojë e veprimit të njeriut mbi natyrën. Kujtojmë të gjitha ato shtëpi e pallate të ndërtuara buzë Bunës, në një zonë që historikisht ka pasur përmbytje, apo në buzë të lumenjve, në rrugën e ujit nga hidrocentralet, si edhe shfrytëzimi abuziv i shtratit, duke marrë pa kriter zhavorr e rërë. Pikërisht për ekologjinë e natyrës të lidhur me ekologjinë e njeriut, foli dje edhe Papa Benedikti XVI në fjalimin e mbajtur para Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.