2010-01-11 18:15:21

Ivo Josipoviç, presidenti i ri i Kroacisë


(11.01.2010 RV)RealAudioMP3 Është Ivo Josipoviç presidenti i ri i Kroacisë, dalë fitimtar nga ballotazhi, që u zhvillua dje ndërmjet tij dhe ish-presidentit Ivo Sanader. Josipoviç fitoi 60,3% të votave. Lider i opozitës së majtë, ai është i treti në krye të shtetit të ish-Jugosllavisë, që nga pavarësia e vitit 1991. Detyra e tij kryesore do të jetë pa dyshim, hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian, ngjarje që parashikohet për vitin 2012, si edhe lufta kundër korrupsionit e kriminalitetit të organizuar. Të dëgjojmë ekspertin italian të çështjeve ballkanike, Alesandro Marxomanjo:
Kur lindi, Kroacia ishte një lloj satrapie personale e presidentit të atëhershëm Franjo Tuxhman, ku një grup familjesh kishin krejt pushtetin, sidomos atë ekonomik. Kjo trashëgimi e së kaluarës është akoma e pranishme e sjell si pasojë korrupsionin. Presidenti i ri është shprehur mëse një herë kundër këtij sistemi e ka thënë se dëshiron ta çojë vendin drejt normalizimit. Pastaj vjen normalizimi politik me fqinjët, sidomos me Serbinë. Pak nga pak, Kroacia po bëhet një vend demokratik evropian.
Përsa i përket integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, cilat mund të jenë vështirësitë për Kroacinë?
Ndoshta ndokujt do t’i kujtohet se problemi më i madh i Kroacisë ishte dorëzimi i një gjenerali të akuzuar nga Haga për krime lufte: quhej Ante Gotovina dhe akuzohej për ç’ndodhi gjatë ofensivës në Krajinë, në vitin 1995. Ky gjeneral u fsheh për vite me radhë nga qeveria kroate e më pas u dorëzua, kështuqë problemi është zgjidhur. Çështja është të harmonizohet sistemi politiko-ekonomik kroat me atë evropian. Në Bruksel janë ulur edhe Rumania e Bullgaria, s’ka se pse të mos integrohet Kroacia.







All the contents on this site are copyrighted ©.