2010-01-11 17:46:56

Benedikti XVI Trupit diplomatik: Kisha ia hap portat të gjithëve, sepse ekziston për të tjerët. Ta mbrojmë krijimin nga egozimi i njeriut!


(11.01.2010 RV)RealAudioMP3 “Mbrojta e mjedisit nuk është fakt estetik, por moral; sidoqoftë, para së gjithash duhet mbrojtur dinjiteti i njeriut, si bir i Hyjit, sepse pikërisht nga respekti për ekologjinë njerëzore, rrjedh edhe respekti për ekologjinë ambientale”. Ky ishte parimi bazë i fjalimit të rëndësishëm të Benediktit XVI, drejtuar Trupit diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë, që u prit sot në Vatikan për audiencën e zakonshme të fillimit të vitit. Papa preku disa nga temat më delikate aktuale, nga kriza ekonomike, tek problemi i mprehtë i mospërhapjes së armëve bërthamore; nga fenomeni i terrorizmit, tek ai i emigracionit, nga mbrojtja e të krishterëve të përndjekur, tek rrënjët e krishtera të Evropës.

“Veprimtaria e njerëzve për paqen në botë, duhet vlerësuar duke vëzhguar si e respektojnë planetin e tyre”. Problemi i mprehtë i mbrojtjes së paqes, përmes ruajtjes së gjithësisë, tejet aktual për magjisterin e Benediktit XVI, ishte në qendër të vëmendjes edhe në fjalimin e gjatë, drejtuar ambasadorëve të 178 vendeve, që kanë marrëdhënie të plota diplomatike me Selisë e Shenjtë. Ndërmjet tyre, Federata Ruse, me të cilën marrëdhëniet e plota diplomatike u lidhën vetëm pak javë më parë. Pasardhësi i Shën Pjetrit – theksoi Papa gjatë fjalimit— e ka portën të hapur për të gjithë e dëshiron të ketë me të gjithë marrëdhënie, që ndihmojnë për progresin e familjes njerëzore, e po kështu edhe Kisha – vijoi Benedikti XVI – është e hapur për të gjithë, sepse – në Zotin – ekziston për të tjerët!
Që këtu u nis Papa, për të përfshirë, pastaj, me vështrimin e tij, mbarë botën. Gjithsesi, shqetësimi i tij i parë mbetet ai, që përshkoi gjithë vitin 2009 – kriza ekonomike. Papa nënvizoi edhe një herë me forcë se shkaqet duhen kërkuar tek materializmi, i cili mendon vetëm për fitimin, mendësi kjo, që kërcënon edhe gjithësinë. Benedikti XVI e provoi këtë, duke kujtuar plagët e rënda, hapur njerëzve e natyrës, nga sistemi ateist socialist. Këto plagë u panë qartë nga të gjithë, posaçërisht pas shembjes së Murit të Berlinit:
Mohimi i Zotit jo vetëm e përçudnon lirinë e njeriut, por shkatërron edhe krijimin! Si pasojë, mbrojtja e gjithësisë nuk i përgjigjet në plan të parë kërkesës estetike, por mbi të gjitha, kërkesës morale, sepse natyra shpreh planin e dashurisë e të vërtetësisë, që na paraprin e që vjen nga Zoti”.
Bota mundohet të gjejë një rrugë të përbashkët në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Papa vuri theksin mbi kundështimet me karakter ekonomik e politik, vërejtur në Takimin e rangut të lartë të Kopenhagës mbi klimën, mbajtur pak kohë më parë, duke pohuar se shpreson të arrihen marrëveshje të reja në takimet e ardhshme të Bonit e të Qytetit të Meksikos. Prej tyre varet vetë fati i disa vendeve – nënvizon Papa - posaçërisht atyre ishullore. E në se problemeve të klimës u shtohen fenomenet e zgjerimit të sipërfaqes së shkretëtirës ose kërkesa për shfrytëzimin korrekt të pasurive natyrore, Afrika për Papën bëhet një pjesë vërtetë emblematike e Planetit:
Në Afrikë, si gjetiu, është e nevojshme të gjinden rrugë të tilla politike dhe ekonomike, që sigurojnë forma prodhimi bujqësor e industrial, të cilat respektojnë rendin e krijimit e, njëkohësisht, plotësojnë nevojat parësore të të gjithëve. E si mund ta harrojmë, pastaj, se lufta për të shfrytëzuar burimet natyrore është një nga shkaqet kryesore të konflikteve të ndryshme, ndërmjet tjerash, edhe atyre të Afrikës, ashtu si edhe burim i rrezikut të përhershëm, në situata të tjera?"
- pyet Papa, e më pas flet për mënyrat e shfrytëzimit të Tokës, duke kujtuar atë që ngjet në Afganistan, por edhe në Amerikën Latine ku, për fat të keq, Ati i Shenjtë vëren se:
Bujqësia vijon të jetë e lidhur me prodhimin e drogës, e cila përbën një burim të rëndësishëm për punësimin e për sigurimin e jetesës. Në se duam paqen, duhet të mbrojmë gjithësinë, duke i shndërruar këto veprimtari. Prandaj i kërkoj përsëri bashkësisë ndërkombëtare të mos dorëzohet përballë trafikut të drogës dhe problemeve morale e shoqërore, që lindin prej saj”.
E, pas kësaj kërkese, Papa bën një nga thirrjet e tjera, që përshkojnë mbarë fjalimin e tij të sotëm. Në këtë rast, ajo që e shqetëson, janë shumat e mëdha të të hollave, të cilat shpenzohen për armë, në vend që të shkojnë për të ndihmuar njerëzit më të varfër:
Besoj plotësisht se në Konferencën për shqyrtimin e Traktatit të mospërhapjes së armëve bërthamnore, në program për majin e ardhshëm, në Nju Jork, do të merren vendime efikase për çarmatimin progresiv, që do të çojë në lirimin e planetit nga armët bërthamore”.
Disa herë Papa merr shkas nga situatat e veçanta, për ta nxitur bashkësinë ndërkombëtare të marrë vendime më të shpejta, kur është fjala për zgjidhjen e krizave apo të konflikteve. Sidomos kur bëhet fjalë për rastin e Darfurit ose atë të Republikës Demokratike të Kongos. Ati i Shenjtë nuk mjaftohet të dënojë paaftësinë e atyre, që luftojnë për t’i dhënë fund spirales së dhunës, por njëkohësisht vë theksin edhe mbi pazotësinë e ndërmjetësuesve ose, edhe më keq akoma, mbi indiferencën e opinionit publik botëror, i cili dorëzohet plotësisht para situatave të tilla. Armët, pastaj, thellojnë një plagë tjetër, që e shëmton planetin e shkakton ndër banorët e tij një ankth të tmerrshëm. Është fjala për terrorizmin:
Në këtë rrethanë solemne, dëshiroj të përsëris thirrjen drejtuar më 1 janar, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, atyre që bëjnë pjesë në grupet e armatosura të të gjitha tipeve, që të heqin dorë nga rruga e dhunës, për t’ia hapur zemrën gëzimit e paqes”.
Në këtë pikë Papa, i cili më pas do të kujtojë vuajtjet, që pësuan miliona njerëz nga katastrofat natyrore të 2009-tës : nga tërmeti në Indonezi e në Abruce, tek përmbytjet në Filipine e në jug-lindjen aziatike – vëren se dhuna, fatkeqësitë e natyrës ose degradimi ambiental kontribuojnë për të shtuar radhët e njerëzve, që braktisin tokën e vet. Duke u kërkuar qeverive solidaritet e largpamje për ta, Benedikti XVI hap një kapitull të pasionuar e të hollësishëm, në mbrojtje të të krishterëve të persekutuar:
“Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të kujtoj të krishterët e Lindjes së Mesme: të sulmuar në mënyra nga më të ndryshmet, duke nisur nga ushtrimi i lirisë së tyre fetare, ata lënë trojet e etërve, në të cilat lulëzoi Kisha e shekujve të parë. Pikërisht për t’u siguruar mbështetje e për t’i bërë ta ndjejnë afërsinë e vëllezërve në fe, thirra, për vjeshtën e ardhshme, Asamblenë e posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme”.
Me të njëjtën forcë, Papa kërkon respekt, siguri e liri për të krishterët në Irak e integrim për ata, që jetojnë në Pakistan. E, duke kujtuar zona të tjera të planetit, mendimi i Papës kthehet në Evropë, ku kundërshtari i krishterimit nuk është dhuna, por relativizmi që – vëren - ngjall një ndjenjë mospërfilljeje e, nganjëherë, edhe armiqësie. Për këtë argument kaq të rëndësishëm, Benedikti XVI pohon:
Është e qartë se konceptimi i relativizmit si element themelor i demokracisë, krijon rrezikun që laiciteti ta përjashtojë ose, më mirë të themi, të mos e pranojë fare rëndësinë shoqërore të faktit fetar. Sidoqoftë, një prirje e tillë krijon ndeshje e përçarje, i hap plagë paqes, ndot ekologjinë njerëzore e, duke refuzuar, në parim, sjelljet, që ndryshojnë nga ata vetjake, shndërrohet në rrugë pa krye. Prandaj është urgjente të përcaktohet një laicitet pozitiv, i hapur, i bazuar mbi pavarësinë e drejtë të rendit laik nga ai shpirtëror, që të favorizojë bashkëpunimin e shëndoshë e ndjenjën e përgjegjësisë së përbashkët”.
E Papa shikon një sulm kundër krijimit të Zotit e krijesave të tija edhe në ato ligje ose plane që – kujton - në emër të luftës kundër diskriminimit, godasin themelin biologjik të ndryshimit ndërmjet sekseve, siç po ndodh në disa shtete të Kontinentit evropian ose të atij amerikan:
“Liria nuk mund të jetë absolute, sepse njeriu nuk është Zot, por shembëlltyrë e Zotit, krijesë e tij. Rruga në të cilën duhet të ecë, nuk mund të jetë arbitrariteti e as dëshira, por duhet të jetë përpjekja për t’iu përgjigjur strukturës, që dëshiron Krijuesi”.
Përveç respektit për të krishterët e Tokës Shenjte, Benedikti XVI kërkon përsëri paqen ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, duke u krijuar të dyja palëve mundësitë të gëzojnë sigurinë e garantuar nga të dy shtetet e edhe respektin për karakterin e shenjtë të Jeruzalemit. E, ndërmjet arritjeve të shumta të njerëzimit, në kërkim të paqes, Papa kujton, si sinjale shprese, rezulatet e arritura në disa vende, të cilat u dhanë fund grindjeve e konflikteve territoriale. Ndërmje tyre: Kolumbia e Ekuadori; Kroacia e Sllovenia; Armenia e Turqia. Benedikti XVI uron që shembullin e tyre ta ndjekin edhe Irani, Libani e Hondurasi.Po – pranon Papa - njerëzimi vuan shumë e egoizmi njerëzor i hap plagë të thella gjithësisë në njëmijë mënyra. Kisha – shton - kumton se etja për paqe universale mund të shuhet në një burim të vetëm: në Krishtin:
“Me sytë e ngulur mbi Të, e nxis çdo burrë e çdo grua vullnetmirë të punojë me besim e bujari për dinjitetin e lirinë e njeriut. Uroj që drita e forca e Jezusit të na ndihmojnë ta respektojmë ekologjinë njerëzore, të vetëdijshëm se edhe ekologjia ambientale do të ketë përfitime, sepse libri i natyrës është një e i pandashëm. Vetëm kështu do të mund ta forcojmë paqen, për breznitë e sotme e për ata që do të vijnë”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.