2010-01-09 14:29:33

Liturgjia e Fjalës e Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit:
'Gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë’.


(09.01.2010 RV)Në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, t’i dëgjojmë e t’i meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Solemnitetit të Pagëzimit të Zotit. Pas përfundimit të festës së Krishtlindjes, që tani nisemi udhës sonë shpirtërore drejt Pashkëve. E Pagëzimi i Jezusit përmban fatin e Jezusit, thirrjen apo misionin e tij. Deri dje kemi dëgjuar tregimin e Ungjillit se si ka lindur, prej kujt ka lindur, ku ka lindur e në çfarë kushtet ka lindur.
Pjesa e Ungjillit të kësaj të kremte na tregon arsyen pse çka lindur Jezusi: për shpëtimin e njerëzimit. Pra në solemnitetin e Pagëzimit të Jezu Krishtit kemi pohimin e Atit që Qiellor që na siguron Ai, Jezusi është shpëtimtar i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja e botës.
.
Për këtë arsye këtyre ditëve jemi kthyer në Betlehem sepse ndjenim nevojën për të shikuar, vështruar e dëgjuar sërish mësimin e Krishtit, mësimin e Tij të parë të madh: artin e dashurisë ndaj Zotit e ndaj njeriut.
Dhe në aspektin shpirtëror është gjë e bukur të përshkohet pambarimisht udha e fesë, udha e besimit në Zotit drejt Betlehemit, për t’u shndritur vazhdimisht me Dritën e Foshnjës Hyjnore e kështu, si barinjtë e Betlehemit edhe ne ta dëshmojnë gëzimin e ardhjes së Zotit ndër ne e rëndësinë e pranisë së Tij me ne.
Derisa Krishtlindja largohet, mendoj se në çdonjërin prej nesh ka një nostalgji të madhe për këtë të kremte, për dritën e Foshnjës së Betlehemit, për të mësuar udhën e jetës së vërtetë e mënyrën e pranimit të planit të Zotit, për një jetë të re në përkim me vullnetin e Tij Hyjnor.
Jemi të vetëdijshëm se koha ecën me të shpejt, fluturon e ne nuk mund të heqim dorë nga detyra e shqyrtimit dhe e kundrimit të tërë jetës së Krishtit në dritën e Shkrimeve të Shenjte biblike. E kështu, Ungjilli i kësaj së diele ( këtij solemniteti) na sjell përgjatë lumit të Jordanit e na paraqet Gjon Pagëzuesin, tashmë të rritur, i cili pagëzon dhe pret e përgatitet dhe përgatit zemrën e njerëzve për çastin e takimit aq shumë të pritur me Krishtin Shëlbues.
Gjon Pagëzuesi, sikur do të dëgjojmë nga tregimi ungjillor, pa frikë, paralajmëron të gjithë se Zoti është afër: “Po vjen pas meje, një më i fortë se unë” (Mk 1,7). Këto fjalë edhe për ne janë të rëndishme sepse na përkujtojnë se kuptimi i çdo gjëje është pikërisht në Jezusin e pranishëm në realitetin tonë, këtu konkretisht në çdo jetë njerëzore Zoti vjen, Zoti Është! Jeta e njeriut është pritje e Zotit. Këndej të jetosh do të thotë të presësh Zotin. Të vdesësh do të thotë mos pritje e Zotit.
Gjoni shton: “Unë nuk jam i denjë të përkulëm as për t’ia zgjidh lidhëzat e këpucëve të tija” (Mk 1,7).
T’i zgjidhësh të mbathurat ishte detyrë e skllavit!. Gjoni e ndjen kaq fortë distancën midis nesh e Zotit, e nuk gjen tjetër figurë apo imazh për të treguar habinë, mrekullimin e vet dhe tërë gëzimin e vet para Zotit që bëhet i afërt.
Po të mund të përjetonim edhe ne ndjenjat e Gjonit. Po të mund të provonim edhe ne mrekullimin e gëzimin para asaj që shohim e para asaj që dëgjojmë në këtë moment! Sikur të mund të ndjenim tërë madhështinë e të qenurit të krishterë e të takimit të Zotit, në saje të mëshirës së tij falas që ka ndaj nesh. Feja ka nevojë për madhështi, për mrekulli, sepse feja është dhuratë. Mirëpo madhështia e mrekulli lind nga përvujtëria e përvujtëria përherë është parakusht në të cilin njeriu mund të takojë Zotin në Jezu Krishtin.
Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë të cilën Liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e tij në lumin Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. E tani ju ftojmë ti dëgjoni leximet biblike të solemnitetit të Pagëzimit të Krishtit e pastaj komentin e leximeve biblike.....RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës

 
Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11
 
Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit.
 

 
Lexim prej Librit të Isaisë profet

 
“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës:
“Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.”
Fjala e Zotit.

 
Psalmi 104
----------
I bekuar Zoti që dhuron jetën
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhiëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
----------
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
----------
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s'u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
----------
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
----------
Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7
 
Shfaqja më e lartë e mirësisë dhe dashurisë së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të reja të drejtuara drejt jetës së amshuar.
 
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit

 
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Fjala e Zotit.

 

 
† Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22
 
Ungjilli tregon momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, përuron kohën e Ungjillit, është i shpallur e i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas Tij të gjithë njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në momentin e pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, ndodh zbulimi i misterit të Trinisë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

 
Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëset e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”
Fjala e Zotit.

 
(Në vend të “Besoj-mes” mund të recitohet premtimet e mëposhtme pagëzimore.)

 
Përtëritja e premtimeve të Pagëzimit:
 
Sipas mësimeve të fjalës së Hyjit përtërijmë besimin tonë në Atin , në Birin dhe në Shpirtin Shenjt që të bëhemi shtëpi i Hyjit dhe populli i tij i shenjtë, dhe kështu të jetojmë angazhimet e Pagëzimit tonë.

 
1) A besoni në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm Krijuesin e qiellit e të tokës?

 
P. Besoj

 
2) A besoni në Jezu Krishtin, Njëlindurin Birin e tij, Zotin tonë, që lindi prej Marisë Virgjër, vdiq dhe qe varrosur; u ngjall së vdekuri e rri në të djathtën e Atit?
P. Besoj

 
3) A besoni në Shpirtin Shenjt, Kishën Shenjtë katolike, shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e trupit dhe jetën e pasosur?
P. Besoj

 
4) Kjo është feja jonë. Kjo është feja e Kishës. Është nder për ne ta dëshmojmë, në Jezu Krishtin Zotin tonë.
P. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.