Fjalët e Benediktit XVI në kohën e Krishtlindjes: “Përvujtëria, rrugë e njeriut për
të takuar Zotin".
(08.01.2010 RV)Dashuri e dritë:
është binomi që përsëritet vazhdimisht në homelitë e në lutjet e Engjëllit të Tënzot
të Benediktit XVI gjatë kremtimeve të Krishtlindjes së këtij vitit. Nga Mesha e Natës
së Solemnitetit, tek ajo e Dëftimit të Zotit, Papa u flet besimtarëve për madhështinë
e Hyjit, që bëhet Fëmijë. E na fton edhe ne të bëhemi të vegjël e të përvujtë, që
Zoti të hyjë në zemrat tona e t’i mbushë përplot me dritën e tij. Në solemnitetin
e Krishtlindjes kremtojmë forcën e një Fëmije, që rrezaton dritën e tij të dashurisë
mbi gjithë njerëzimin. Në Meshën e Natës Papa e fton njeriun e sotëm t’i krijojë hapësirën
e duhur kësaj dashurie, ta pranojë Zotin e të shpejtojë, si barinjtë, drejt Betlehemit: “Zoti
është i rëndësishëm, realiteti absolutisht më i rëndësishëm i jetës sonë. Pikërisht
këtë përparësi na mësojnë barinjtë. Prej tyre duam të mësojmë të mos mposhtemi
nga punët e ngutshme të jetës së përditshme. Prej tyre duam të mësojmë lirinë shpirtërore
për t’i lënë në plan të dytë shqetësimet e tjera – sado të rëndësishme qofshin - e
për të ecur drejt Zotit, që t’i hapim rrugën të hyjë në jetën tonë e në kohën tonë
(Homelia, Mesha 24 dhjetor 2009). Natën e Krishtlindjes – vijon
të pohojë Papa - shikojmë me sytë tanë risinë e jashtëzakonshme të një Fjale, që u
mishërua në një Fëmijë të vogël, krejt të pambrojtur: “Shenja e Zotit,
shenja që u jepet barinjve, e edhe ne, nuk është mrekulli emocionuese. Shenja e Zotit
është përvujtëria e tij. Shenja e Zotit është se ai bëhet i vogël; bëhet fëmijë, na
lë ta prekim e kërkon dashurinë tonë. Sa do të dëshironim, ne njerëzit, një shenjë
krejt tjetër, hijerëndë, të pakundërshtueshme të pushtetit të Zotit e të madhështisë
së tij. Por shenja e Hyjit na fton në rrugën e fesë e të dashurisë e, për më tepër,
na jep edhe shpresë: Kështu është Zoti” (Homelia, Mesha e 24 dhjetorit
2009). E një ditë më pas, në Mesazhin e Krishtlindjes, Papa vë theksin mbi
dritën, e cila përhapet nga Shpella e Betlehemit, dritë shprese, që davarit errësirën: “Drita
e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur nëpër natë. Gjithçka përreth ishte
e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo
njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi,
sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen
të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme”(Mesazhi
i Krishtlindjes, 25 dhjetor 2009). Këtë dashuri, këtë Fëmijë – ripohon Ati
i Shenjtë - Kisha nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre, që e kërkojnë
me zemër të sinqertë. E më 26 dhjetor, në kujtimin liturgjik të Shën Shtjefnit,
martir i parë i krishterimit, Papa kujton se ky Fëmijë, që qan në grazhd, na kërkon
të gjithëve ta dëshmojmë me guxim Ungjillin e tij, edhe me çmimin e jetës. Një
ditë më pas, në Solemnitetin e Familjes Shenjte, Papa nënvizon se me lindjen e Krishtit,
familja njerëzore bëhet ikonë e Zotit. Është Zoti-Dashuri, që ia ndryshoi rrjedhën
historisë së njeriut: “Me mishërimin e Birit të Zotit, amshimi hyri në kohë;
historisë iu hapën shtigjet drejt Hyjit. Mund të themi se koha u prek nga Krishti,
Biri i Hyjit e i Marisë, e mori nga Ai kuptime të reja mahnitëse: u bë kohë shëlbimi,
kohë hiri”(Te Deum, 31 dhjetor 2009). Pikërisht Maria - vëren Papa
më 1 janar, në Solemnitetin e Nënës së Zotit - është e para që shikon fytyrën e Hyjit,
i cili u bë njeri në frytin e vogël të kraharorit të saj: “Nëna ka një lidhje
krejt të veçantë me fëmijën e vet të posalindur: lidhje e pashoqe, që i përket vetëm
asaj. Fytyra e parë që shikon foshnja, është ajo e nënës, e ky shikim është vendimtar
për lidhjen e tij me jetën, me vetveten, me të tjerët, me Hyjin; është vendimtar
edhe për ardhmërinë e tij, që të mund të bëhet ‘bir i paqes”. Sot – kujtoi
Benedikti XVI në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit – mungon përvujtëria e Marisë e
përvujtëria e Mbretërve Dijetarë, të cilët gjunjëzohen para Fëmijës së grazhdit,
pasi kanë bërë një rrugë tejet të gjatë, në kërkim të së vërtetës, e cila di t’i nënshtrohet
asaj, që është më e madhe. Mungon aftësia ungjillore për të pasur zemër fëmije, për
t’u mahnitur, për të dalë nga vetvetja e për të ecur në udhën, që tregon ylli, udhë
e Zotit”.“Në fund të fundit, ajo që mungon, është përvujtëria e vërtetë, e cila
di t’i nënshtrohet asaj, që është më e madhe, por edhe guximi i vërtetë, që të nxit
t’i besosh asaj që është me të vërtetë madhështore, edhe në se dëftohet në një Foshnje
të pambrojtur (…). Por Zoti ka pushtet të na bëjë të aftë për të parë e për të shpëtuar
e, prej këndej, duhet t’i lutemi të na japë një zemër të urtë e të pafajshme, që na
ndihmon të shikojmë yllin e mëshirës së tij, të ecim në rrugën e tij, për ta gjetur
e për t’u mbushur plot me dritën e madhe e me gëzimin e vërtetë, që solli Ai në këtë
botë” (Homelia, Solemniteti i Dëftimit të Zotit, 6 janar 2010).