30 vjetori i vdekjes së ipeshkvit Imzot Ernest Çobës.
(08.01.2010 RV)Si sot, 30 vjet më parë, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari
i fesë së krishterë, Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim
me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër
tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e
grigjës që i qe besuar. Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër
qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U
shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor,
ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas
vdekjes së Imzot Thaçit dhe arrestimit të Dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën
e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë
që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur
nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, Imzot Bernardin
Shllaku, e shuguroi atë, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, Imzot Pjetër Demën më
20 prill të vitit 1952. Vishte paramentet me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë
simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta.
Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të
krishtërimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre,
duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit
dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pas kohë pas shugurimit të tij,
imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqezi i Tivarit,
kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzotët Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak
Serreqin, Lazër Mjedën dhe Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të
ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë. Ja si e përshkruan Imzot Zef
Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë": " Kishte trup të shkurtë,
sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errta kur shërbente në kishë apo
në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun
në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej
çdo ditë, mbasi kremtonteMeshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit,
ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv,
kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet
të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve. Qe drejtues i shoqnisë
së Kryqtarëve të vogjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist
i teologjisë morale dhe i landëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët
e fesë e të lirturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit
por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës.
Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte
shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë,
duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundshme". Në
prag të mbylljes së Kishave, në një të diele të hidhur, në sa ishte thirrur që të
akuzohej, u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimi,
për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë,
jo shumë kohë më vonë dyert e kishave do të mbylleshin. Atëherë ai u detyrua të kthehej
pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi
komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte
mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane. Vuajti me durim
të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa
vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze,
- siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni
që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit.
Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze
për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.