2010-01-07 13:16:51

Çelësi i fjalëve të Kishës: sakramenti i "pagëzimit"


(07.01.2010 RV)Të dielën e ardhshme, Kisha Katolike kremton Pagëzimin e Jezusit. Pikërisht për “pagëzimin” e krishterë e për vlerën e tij do t’ju flasim sot.
Sipas besimit katolik: “Pagëzimi është një sakrament i themeluar prej Jezu Krishtit, me të cilin na falet mëkati i rrjedhshëm dhe të gjitha mëkatet që kemi, na kthehet Hiri shenjtërues i Zotit, bëhemi fëmijët e Tij dhe anëtarët e Kishës”.
Në bazën e fjalës “pagëzim” qëndrojnë dy fjalë greke të ngjashme “bàpto/baptìzein”, që do të thotë “të zhytesh”. Këto dy terma sëbashku me derivatet e tyre përmenden 116 herë në Besëlidhjen e Re. Riti i zhytjes në ujë për pastrimin e shpirtit është një praktikë e lashtë, e përdorur nga të gjitha kulturat fetare. Madje edhe judaizmi i kohës së Jezusit e ndiqte këtë praktikë, siç dëshmojnë vaskat e pishinat e gjetura në Kumran, në bregun e Detit të Vdekur, seli e një bashkësie të njohur hebraike, anëtarët e së cilës quheshin “esenë”. Pikërisht këtu, në vitin 1947 dolën në dritë dorëshkrime biblike e judaike, që u bënë më pas të famshme. Edhe Shën Gjon Pagëzuesi mbarështonte një “pagëzim pendimi” për mëkatet e kryera.
Me ardhjen e Krishtit, siç thotë edhe vetë shën Gjon Pagëzuesi, pagëzimi merr vlerë të re: nuk është thjesht zhytja në ujë për t’u pastruar nga mëkatet, por është edhe dikimi i Shpirtit të Hyjit, pra fillimi i një jete të re trashendentale. Të katër ungjilltarët, duke përshkruar pagëzimin e Krishtit, përfundojnë me këtë detaj: “Fill pas pagëzimit, Jezusi doli nga uji. Dhe ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi Të” (Mt 3,16; Mk 1,10; Lk 3,22; Gjn 1,32). Ashtu si me lindjen marrim fizikisht frymën e jetës, ashtu edhe me rilindjen përmes Pagëzimit marrim një frymë, apo shpirt tjetër, atë të jetës që vjen nga Zoti. Për këtë arsye e thërrasim Zotin me dashuri, ashtu siç bënte vetë Jezu Krishti, Biri i Hyjit: “Kemi marrë Shpirtin që na bën bij adoptivë, në sajë të të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!” (Rm 8,15). Abba ishte titulli i gjuhës aramaike me të cilin fëmijët thërrisnin atin e tyre.
Kjo është e mundur, pasi me pagëzimin brenda nesh ndodh diçka e veçantë, që Shën Pali e përshkruan kështu në Letrën drejtuar Romakëve: “Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rm 6,3-4). Këtu kemi imazhin e dy varreve paralele. Në atë prej guri hyn Jezusi i vdekur, prej nga del më pas i ringjallur në lavdi. Në varrin e ujit të pagëzimit hyn njeriu “i vjetër”, i vdekur për shkak të mëkatit, i cili rilind më pas si krijesë e re, i pastruar e me Shpirtin Shenjt në zemër, shenjë e jetës së re.
Vdekja e ngjallja e Jezusit përsëritet pra, brenda nesh. “Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin – me Krishtin jeni veshur” vazhdon shën Pali në Letrën drejtuar Galatasve (3,27). Për këtë arsye pagëzimi është sakrament, pasi përmes tij vepron vetë Zoti nëpërmjet Birit të Tij dhe, është sakramenti i parë që marrin, pasi përmes tij lindim në një jetë të re. E ashtu siç jemi bij të Adamit si njerëz të vdekshëm, ashtu jemi të gjithë edhe bij të Hyjit përmes pagëzimit e pra, jemi të gjithë vëllezër si në brishtësinë e të qenit njerëz, ashtu edhe në lavdinë që vjen nga të qenit bij adoptivë të Zotit: “Të gjithë ne jemi pagëzuar në një të vetmin Shpirt Shenjt” (1 Kor 12,13). E nga kjo vjen edhe mandati i qartë, që Krishti i drejton Kishës mbarë, duke përshëndetur Apsotujt pas ringjalljes: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mt 28,19).







All the contents on this site are copyrighted ©.