Shtëpia e Pjetrit është gjithmonë e hapur për të gjithë, besimtarë e njerëzit vullnet
mirë: kështu u tha Papa karabinierëve që veprojnë pranë Vatikanit.
(07.1.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Sallën Klementina në
Vatikan karabinierët e Shoqërisë Roma Shën Pjetri që shërbejnë rreth Vatikanit. Të
pranishëm në takim me Atin e Shenjtë Jozef Racinger komandanti i përgjithshëm i Armës
së Karabinierisë, Leonardo Gallitelli dhe komandanti provincial, gjenerali Vittorio
Tomasone, të shoqëruar nga kryeipeshkvi imzot Vinçenco Pelvi, ipeshkëv ordinar ushtarak
për Italinë. Papa u shprehi karabinierëve mirënjohjen e tij personale për shërbimin
që zhvillojnë në afërsi të Vatikanit, duke kontribuar në “mbajtjen e sigurisë e të
qetësisë së shtegtarëve e të vizitorëve që mbërrijnë nga mbarë bota pranë qendrës
së fesë katolike” në Vatikan duke u mundësuar atyre si në “përgatitjen e nevojshme
shpirtërore gjatë vizitës tek Varri i Shën Pjetrit Apostull”, po kështu edhe për krijimin
e “atmosferës së favorshme për takimin me Pasardhësin e Pjetrit, të cilit Krishti
i ka besuar detyrën e përforcimit të vëllezërve në fe”: “Siç sugjeron kolonati
madhështor i Berninit përreth Sheshit të Vatikanit, shtëpia e Pjetrit është gjithmonë
e hapur për mikpritje, e në një përqafim ideal ajo pret besimtarët e të gjithë njerëzit
vullnet mirë, që nga Magjisteri i Papëve romak marrin dritën dhe inkurajimin për t’u
rritur në fenë e Krishtit e për t’u bërë ndërtues të paqes e të bashkëjetesës së
qetë civile”. Benedikti XVI nënvizoi vlerën e “punës së përvujtë”, të heshtur,
“por të domosdoshme” që bëjnë karabinierët “duke ndihmuar që shtegtimi në Romë të
jetë për secilin shtegtar e vizitor një rast unik dhe i paharrueshëm për përjetimin
e gëzimit të fesë e të vlerave të vëllazërimit, të mikpritjes e të respektit të anasjelltë,
sipas shembullit të Atij (Jezu Krishtit) që duke qenë Hyj për dashurinë tonë është
bërë Foshnje”. Prandaj, pasi kujtoi traditën e besnikërisë, të bujarisë e të idealeve
që karakterizon Armatën e Karabinierëve, Papa kërkoi për ta ndërmjetësimin e Nënës
së Zotit, pajtores qiellore të karabinierëve: “Maria, Virgjëra besnike, Pajtorja
juaj, ju shoqëroftë ju e mbarë Armatën, në mënyrë të veçantë ata, që në Vende të ndryshme
të botës, janë të angazhuar në misionin e posaçëm të paqes, Zoja Bekuar i pranoftë
synimet tuaja të mira për t’ia paraqitur të Birit të saj Hyjnor”.