2010-01-07 15:00:13

Dialogu ndërfetar dhe njohja juridike e Kishës Katolike në Turqi në qendër të fjalimit të Papës para ambasadorit të Ankarasë


(07.01.2010 RV)Dialogu ndërfetar, paqja në Lindjen e Mesme dhe njohja juridike e Kishës Katolike: këto ishin tri temat qendrore të fjalimit të Papës Benedikti XVI gjatë paraqitjes së letrave kredenciale të ambasadorit turk pranë Selisë së Shenjtë, Kenan Gjyrsoj.
Duke kujtuar vizitën e tij në Turqi në vitin 2006, Papa theksoi sërish impenjimin e Kishës Katolike në dialogun ndërfetar, në frymën e respektit dhe të miqësisë së ndërsjelltë. Në veçanti, kjo bëhet duke dëshmuar fenë e përbashkët në Zotin, që karakterizon të krishterët e myslimanët, e duke u njohur më mirë, që të krijohen lidhje më të forta e të qëndrueshme. Lutem me zjarr, tha Ati i Shenjtë, që ky proces të sjellë besim më të madh ndërmjet individëve, bashkësive e popujve, sidomos në zonën e Lindjes së Mesme. Turqia mund të shërbejë si urë ndërmjet Islamit dhe Perëndimit e të ofrojë një kontribut domethënës në përpjekjet për të sjellë paqen e qëndrueshmërinë në këtë zonë. Benedikti XVI lavdëroi nismat e shumta të Ankarasë në këtë drejtim e siguroi impenjimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për të gjetur zgjidhje afatgjatë për fundin e konflikteve në zonë. “Siç ka treguar historia – nënvizoi – problemet territoriale dhe etnike mund të zgjidhen vetëm kur merren në konsideratë aspiratat e ligjshme të secilës prej palëve, kur njihen padrejtësitë e së kaluarës dhe ndreqen, aty ku është e mundur”.
Papa vlerësoi rolin e katolikëve në Turqi, të cilët kontribuojnë në mirëqënien e bashkëkombasve dhe kryejnë një punë të lavdërueshme, sidomos në fushën e bamirësisë. Por, vërejti Benedikti XVI, ata po presin akoma njohjen juridike të Kishës Katolike, e cila do t’i ndihmonte të ushtronin më lirisht fenë e të jepnin një kontribut edhe më të madh në shoqëri.
Ati i Shenjtë kujtoi se po afrohet 50 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Turqisë e Selisë së Shenjtë, fryt i punës së papës Gjoni XXIII, në atë kohë legat papnor në Stamboll. Benedikti XVI shprehu besimin se këto marrëdhënie do të bëhen gjithnjë e më të forta. Papa e përfundoi fjalimin e tij duke kujtuar takimin me Patrikun Bartolomeu I në Fanar, një nga momentet më të rëndësishme të udhëtimit të tij në Turqi, i pari në një vend mysliman. Bashkësitë e krishtera, theksoi, janë krenare për rolin e tyre, të vetëdijshme për trashëgiminë e lashtë e për kontributin domethënës që kanë dhënë në qytetërimin e krejt Evropës e jo vetëm të Turqisë. Në fund, Papa falenderoi autoritetet turke për lehtësirat që krijuan gjatë Vitit Paolin, për të gjithë shtegtarët që dëshironin të shkonin në vendet e Apostullit të Popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.