2010-01-06 17:57:08

Lutja e Papës për muajin janar 2010 i kushtohet të rinjve dhe lidhjes së tyre të drejtë me mediat.


(06.01.2010 RV)Ndjeti i përgjithshëm i uratës së Benediktit XVI për janarin 2010 lidhet me botën e mjeteve të komunikimit. Papa i fton të gjithë besimtarët të luten që “të rinjtë të dinë t’i përdorin mjetet moderne të komunikimit shoqëror, për t’u zhvilluar personalisht e për t’i shërbyer sa më mirë shoqërisë”.Por, si mund të realizohet një qëllim i tillë, duke pasur parasysh përfitimet, por edhe rreziqet e mëdha që burojnë nga një komunikim, i cili shpesh herë përdoret nga të rinjtë, pa e shikuar me sy kritik? Ia drejtuam pyetjen Stefano de Martis, drejtor i ‘TV2000” e Radio Blu të Konferencës ipeshkvnore italiane:

Përgjigje: - Sigurisht një televizon, si yni, kërkon edukimin e breznive të reja për t’i përdorur me përgjegjësi mjetet moderne të komunikimit, që Kisha i ka gjithnjë në qendër të vëmendjes. Është fjala për edukimin e breznive të reja si dëshmitare dixhitale të fesë së krishterë, duke i përgatitur për njohjen e të gjitha mekanizmave të domosdoshme. Lindja e kulturës së re të komunikimit krijon kushte për më shumë komunikim, më shumë mundësi për t’u lidhur me të tjerët, edhe në distanca tejet të largëta, por njëkohësisht, i fton të gjithë për të shfrytëzuar anët pozitive të këtyre mundësive, duke krijuar drejtpeshimin e duhur, në një epokë ku sundon konsumizmi e logjika e fitimit. Kërkohet, prandaj, përgatitje e thellë profesionale, sepse vetëm me një përgatitje të tillë mund të flitet lirisht në televizon, në radio e në të gjtiha mjetet e komunikimit, edhe për argumentet më të vështira, më të ndërlikuara, që kanë të bëjnë me problemet jetike të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.