2010-01-06 17:42:27

Dita Misionare e të Rinjve: “Lajmi i Mirë udhëton pa pasaportë”


(06.01.2010 RV)Si çdo vit, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, sot u kremtua edhe Dita Misionare e të Rinjve, e cila ka për qëllim t’i bëjë të rinjtë gjithnjë e më të vetëdijshëm për misionin ungjillëzues që u është besuar.
Kjo Ditë organizohet nga Vepra Papnore e Fëmijëve Misionarë, themeluar në vitin 1843, dhe u drejtohet 6 mijë të rinjve misionarë e të gjithë atyre, që duan të bashkëpunojnë për përhapjen e Ungjillit në radhët e bashkëmoshatarëve. Vetë Papa Benedikti XVI, në takimin me të rinjtë evropianë misionarë gjatë Vitit Paolin, nënvizoi rëndësinë e misionit rinor me këto fjalë:
“Jeni pjesë e një familjeje të madhe – u tha të rinjve Ati i Shenjtë – e cila përhap Ungjillin në botë; bëni pjesë në një rrjet të madh, në të cilin pasqyrohet familja e popujve të ndryshëm. Secili bën pjesën e vet e sëbashku jeni misionarë, bartës të veprës misionare të Kishës… Keni program të bukur: të dëgjoni, të luteni, të njiheni, të bashkëndani, të solidarizoheni. Këto janë elementet thelbësore që karakterizojnë misionarin, që e rrisin Kishën dhe përhapin Ungjillin në botë” (Salla Pali VI, 30 maj 2009).
Tema e zgjedhur për Ditën Misionare 2010 është “Lajmi i Mirë udhëton pa pasaportë”. Ajo dëshiron të nënvizojë se Fjala e Zotit nuk njeh pengesa apo kufij, por u ofron të gjithëve Lajmin e Mirë të shëlbimit. Fletëpalosja e përgatitur për këtë rast nxjerr në dritë faktin se Mishërimi i Fjalës ka zhdukur çdo distancë ndërmjet Zotit e njeriut, pasi vetë Biri i Zotit deshi të bëhej njeri, për t’i zbuluar njeriut fytyrën e Atit Qiellor. Në çdo kohë e në çdo vend, Kisha e Hyjit, e me të, edhe anëtarët e saj më të rinj, vazhdojnë veprën e Mësuesit dhe e çojnë Lajmin e Mirë te çdo njeri, duke kapërcyer kufijtë e kulturave, të traditave e të ndryshimeve shoqërore.
Nga të rinjtë katolikë kudo në botë, dita e sotme u përjetua me lutje e solidaritet. Gjatë liturgjisë së Dëftimit të Zotit, të vegjlit dorëzuan kursimet e vitit për realizimin e disa projekteve në të gjitha kontinentet. Në Afrikë, këto fonde do të shkojnë në Benin, për ndërtimin e një strukture, që do të ofrojë ndihma ushqimore dhe mjekësore për fëmijët jetimë dhe për ata që konsiderohen “shtrigaj” nga popullsia. I njëjti tip strukture do të ndërtohet edhe në Guajanë të Amerikës. Dy janë projektet e menduara për Azinë: i pari, në Bangladesh, ku do të ndërtohet një strukturë për t’u dhënë shkollë e ndihmë shoqërore fëmijëve Dalit, apo “të paprekshmëve”, siç konsiderohen nga kastat më të larta të shoqërisë; ndërsa i dyti, në Azerbaixhan, ka për qëllim ndërtimin e një shkolle të krishterë për fëmijët e braktisur. Në Oqeani, kursimet e rinisë misionare do të kontribuojnë në ndërtimin e një qendre për fëmijët me probleme frymëmarrjeje në Papua-Guinea e Re.







All the contents on this site are copyrighted ©.