2010-01-06 17:37:58

Benedikti XVI në Meshën e Solemnitetit të Dëftimit të Zotit kujton: besimi i tepruar në vetvete të largon nga Hyji.


(06.01.2010 RV)RealAudioMP3 Besimi i tepruar në vetvete, preteksti se e njeh realitetin, pretendimi për të gjykuar gjithçka, e largon njeriun nga udha e Zotit: kështu u shpreh Benedikti XVI në homelinë e Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në solemnitetin e sotëm të Dëftimit të Zotit.
Në lutjen e Engjëllit të Tëzot, pastaj, foli për tre Mbretërit Dijetarë, njerëz të shkencës, kërkues të së vërtetës, model i unitetit ndërmjet arsyes e fesë.

Ishte një ditë tejet gazmore, e sotmja. Mijëra besimtarë u shtrënguan rreth Papës në Sheshin e Shën Pjetrit, por edhe në rrugën e Pajtimit, që çon në Vatikan. Të dyja anët e kësaj rruge, me emër kaq simbolik, ishin përplot me shtegtarë nga të katër anët e botës, që ndoqën me kënaqësi nga ekranet e mëdha Meshën, lutjen e Engjëllit të Tënzot e procesionin folklorik ‘Rroftë Befana’.

“Drita e madhe, që rrezaton nga Shpella e Betlehemit, përmes Mbretërve Dijetarë, ardhur nga Lindja, përhapet në mbarë botën, ndriçon mbarë njerëzimin. Papa u ndalua në mënyrë të posaçme tek fjalët e Izaisë Profet. Në një çast të vetëm – shpjegoi - ai vëren një realitet të paracaktuar të ndryshojë krejt rrjedhën e historisë së njerëzimit. Po kështu edhe Mbretërit Dijetarë, për të cilët na flet Mateu Ungjilltar, i prijnë procesionit të atyre të cilët, duke ecur në udhët pa fund të historisë, dinë të kuptojnë mesazhin e një Ylli e të gjejnë, kështu, Atë, që në dukje është i ligshtë e i brishtë. Por pikërisht Ai ka pushtetin t’i japë zemrës njerëzore gëzimin më të thellë, që ka provuar ndonjëherë:
Në të dëftohet realiteti mahnitës se Zoti na njeh, se është pranë nesh, se madhështia dhe pushteti i tij nuk shprehen në logjikën e botës, por në logjikën e një foshnje të pambrojtur, forca e vetme e të cilit është ajo e dashurisë, që na besohet”.
Kështu dhurata që sjellin Mbretërit: kemi, mirra e ari, nuk kanë të bëjnë me nevojat e ngutshme e të përditshme të Familjes Shenjte, por janë një ‘akt drejtësie’, janë shenjë nënshtrimi; që nga ky çast dhuruesit i përkasin Sovranit dhe e pranojnë autoritetin e tij si Zot e si Mbret. Mbretërit nuk mund ta vijojnë më rrugën e tyre, nuk mund të rikthehen tek Herodi, nuk mund të bëhen aleatë të këtij sundimtari të fuqishëm e mizor:
“Morën përgjithmonë udhën e Foshnjes, atë udhë që do t’i bëjë t’i shpërfillin të mëdhenjtë e të pushtetshmit e kësaj bote e do t’i çojë tek Ai, që na pret në mes të të varfërve, udhën e dashurisë, e vetmja, që mund ta shndërrojë botën”.
U hap një rrugë e re, zbriti nga qielli një dritë e re, që nuk u shua, një dritë që nuk mund të mos shihet nga të gjithë e përgjithnjë:
“Drita e Betlehemit vijon të ndriçojë në mbarë botën!”.
Ajo që përpiqemi të rikrijojmë në Shpellën e Betlehemit – nënvizoi Ati i Shenjtë - nuk është ëndërr, as lojë e kotë ndjesish a emocionesh, pa forcë e pa jetë, por është e Vërteta, që përhap rrezet e veta në mbarë botën, ndonëse Herodi duket gjithnjë më i fortë e Fëmija, si i dëbuar ndërmjet atyre, që s’kanë pikë vlere, madje i vënë nën thembër:
“Megjithatë, ndonëse të paktët e Betlehemit u bënë të shumtë, besimtarët në Jezusin duken ende pak. Shumë e panë yllin, por pak e kuptuan lajmin”.
E për ç’arsye disa shohin e gjejnë e të tjerët jo? – pyeti atëherë Papa - kush ua hap sytë e zemrës? Ç’u mungon atyre, që vijojnë të mbeten indiferentë, atyre që tregojnë rrugën, por nuk luajnë nga vendi?
Mund të përgjigjemi: besimi i tepruar në vetvete, pretendimi se e njohin përsosurisht realitetin; pandehma se janë në gjendje tashmë të japin gjykimin përfundimtar mbi të gjitha sendet, i bëjnë zemrat e tyre të mbyllen e të mos e ndjejnë të renë, që sjell Zoti”.
Në fund të fundit – kujtoi Benedikti XVI – ajo që mungon, është përvujtëria e vërtetë, e cila di t’i nënshtrohet asaj, që është më e madhe, por edhe guximi i vërtetë, që të nxit t’i besosh asaj që është me të vërtetë madhështore, edhe në se dëftohet në një Foshnje të pambrojtur:
“Mungon aftësia ungjillore për të pasur zemër fëmije, për t’u mahnitur, për të dalë nga vetvetja e për të ecur në udhën, që tregon ylli, udhë e Zotit”.Por Zoti ka pushtet të na bëjë të aftë për të parë e për të shpëtuar e, prej këndej, duhet t’i lutemi të na japë një zemër të urtë e të pafajshme - tha Papa në përfundim të homelisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.